Presidenti i republikës Bamir Topi ka dekretuar 6 anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pas konsultimit të listës së 105 aplikantëve për vendet vakante në këtë instancë të gjyqësorit, kreu u shtetit ka përzgjedhur Andi Çelikun, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për 6 vjet, aktualisht avokat profesion që e ushtron prej 10 vitesh.

Arjana Fullani gjyqtare për 11 vjet, aktualisht drejtore e shkollës së Magjistraturës, post të cilin e mban prej 8 vitesh. Zonja Fullani ka marrë titullin master në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Bashkëautore e tekstit “E drejta familjare”.

Aleksandër Muskaj, gjyqtar prej 17 vjetësh, ish-anëtar i KLD-së aktualisht gjyqtar pranë gjykatës së Apelit Tiranë, ka marrë titullin master në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

Majlinda Andrea gjyqtare prej 16 vjetësh në gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës. Evelina Qiriako avokate prej 19 vjetësh dhe Guxim Zenelaj gjyqtar për 4 vjet, ndihmës ligjor në gjykatën e Lartë për 13 vjet. Ish-avokati i përgjithshëm i shtetit aktualisht anëtarë i KLD-së.

Kandidatët janë nënshtruar përzgjedhjes së grupit të punës që presidenti i republikës ngriti për përzgjedhjen e tyre. Pas rrëzimit në parlament të listës së parë të kandidaturave për në Gjykatën e Lartë.

Dekretet e presidentit i kanë kaluar menjëherë Kuvendit dhe komisioni i ligjeve pritet të nisë shqyrtimin. Me miratimin e rregullores së re Kuvendi ka në dispozicion 30 ditë për shqyrtimin e tyre deri në votim./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama