Një ditë pasi Kuvendi me një shumicë dërrmuese dhe nën frymën e konsensusit miratoi kodin zgjedhor, presidenti Topi nuk ka nguruar për ta dekretuar atë, pas kthimit që i bëri në parlament më 3 dhjetor.

Ashtu siç kishte deklaruar kreu i shtetit nuk ka vonuar për ti dhënë  ok, pas mbërritjes së kodit ne zyrat e presidencës pasditen e së hënës.

Në bazë të ligjit, 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare, kur hyn dhe kodi në fuqi, presidenti duhet të vendosë për datën e zgjedhjeve.

Dispozita kalimtare e shtuar në ligjin që kaloi me 116 vota në seancën plenare të së hënës e detyron presidentin që brenda 7 ditëve të shpallë datën e zgjedhjeve.

Kjo nënkupton që presidenti do të dekretojë datën e zgjedhjeve javën e tretë të janarit dhe në bazë të përllogaritjeve, sipas Kodit të ri zgjedhor, datat më të mundshme për mbajtjen e tyre janë 21 ose 28 qershori i vitit 2009.

Kodi i ri elektoral përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore./tvklan.al