Presidenti i Republikës Bamir Topi ka shfrytëzuar një vizitë në qytetin e Himarës, për të deklaruar se çështja e pronave po mban peng zhvillimin e turizmit në këtë bashki. Në takimin me kryebashkiakun Bollano, presidenti nuk ka kursyer kritikat për abuzimet e kryera në vite me ligjin e pronave, duke u shprehur se procesi nuk është zhvilluar në përputhje me interesat e mjedisit dhe perspektivës së zonës.

Bamir Topi: “Me çështjet e ligjit për pronën janë bërë sigurisht mjaft gabime. Është e papranueshme që në vitin 2008 ne të kemi një fizionomi turistike në breg që i ngjan vendeve mesdhetare të viteve ‘50. Ka ardhur koha që i gjithë shteti, të gjitha strukturat e shtetit të pushtetit vendor kudo që janë të mendojnë jo për vete, të mos mendojnë për interesa të çastit, të mendojnë për perspektivën.”

I ftuar të marrë pjesë në konferencën e dytë panhimarjote me teme prioritetet e zhvillimit të rajonit të bregdetit kreu i shtetit ka theksuar se procesi i dhënies së titujve të pronësisë dhe ndërtimeve në bregdet ka qenë abuziv dhe me probleme.

Bamir Topi: “Kam parë që lindin shtëpi buzë detit, ky është një gabim i madh shumë. Qofshin ata që kanë ndërtuar në truallin e tyre qofshin ata që kanë ndërtuar në mënyrë abuzive në truallin e shtetit apo në truallin e dikujt tjetër. Kjo thërret për vëmendje të gjitha strukturat, qofshin ato qendrore, qofshin ato lokale. Të kam inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë aktorët politik ligjet bëhen në parlament nga forcat politike parlamentare.”

Në vizitën në qytetin bregdetar kreu i shtetit shoqërohet nga kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule dhe deputetët Spiro Peçi dhe Besnik Dervishi./tvklan.al