Presidenti i vendit Bamir Topi gjatë vizitës në Borak të komunës Xhafzotaj, ka deklaruar se Shqipëria në muajin prill të këtij viti do të jetë anëtare e NATO-s dhe jeta e të gjithë shqiptarëve shpjet do të përmirësohet me lëvizjen e tyre të lirë pa viza në Europë.

Duke biseduar me komunitetin boshnjak të komunës, Topi ka premtuar mbështetjen e tij institucionale për mësimin e gjuhës boshnjake në baza zyrtare.

Bamir Topi: “Ne do të jemi anëtarë me të drejta të plota të NATO-s, do të bëjmë hapa të tjerë drejt integrimit në BE. Shqipëria shumë shpejt do të ketë mundësi që të lëviz, pra banorët e saj të lëvizin kudo. Jo vetëm në rajonin ballkanik, por në të gjithë Europën, një lëvizje të lirë, lëvizje pa viza. Ju jeni një komunitet shumë i emancipuar, shumë i civilizuar, jeni një komunitet shumë mikpritës. Jo vetëm i integruar, por i integruar nëpërmjet punës, keni qenë gjithmonë njerëz të ndershëm dhe keni ditur të përballoni të gjitha sfidat me të cilat na ka përballur historia e përbashkët.”

Kryetari i shoqatës së komunitetit boshnjak në Shqipëri, Fiqiri Klari e falënderoi presidentin e republikës Bamir Topi për vizitën dhe plotësimin e kërkesës për mësimin e gjuhës.

Klari tha se komuniteti boshnjak ndihet krenar pasi ai jeton në harmoni të plotë me qytetarët shqiptarë./tvklan.al

Gazetare: Xhumelina Dervishi