ARRSH në bashkëpunim me Inspektratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit ka nisur aksionin për largimin e të gjitha subjekteve që kanë zaptuar sipërfaqe publike përgjatë By Passit të Vlorës për të ushtruar aktivitet tregtar, duke dëmtuar edhe elementë të sigurisë rrugore.

Aksionin e ndoqi nga afër edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e cila tha se autoritetet janë të vendosura për të mos lejuar asnkënd që zapton apo dëmton pronën publike.

Nuk duhet të abuzohet më me By Passin e Vlorës, nuk duhet të ketë më prekje të parametrave të sigurisë së këtij By Passi, nuk duhet të ketë më largim të hekurave ndarës. IKMT do ta vazhdojë procesin, ju do ta keni të gjithë zonën në fokus të plotë.

Pas largimit të subjekteve që kishin zaptuar sipërfaqet publike, Balluku tha se shumë shpejt do të nisë projekti për shndërrimin e këtyre pikave në zona pushimi për të gjithë qytetarët dhe turistët.

Nuk është tokë e zënë, kjo është tokë e qytetarëve të Shqipërisë, të cilët me shumë dëshirë e ndajnë me turistët për t’i treguar gjirin e Vlorës, por jo për të zhvilluar këtu aktivitete të cilat janë të paligjshme, tregtare në tokë të shtetit. Duhet të nisim menjëherë projektimin e saktë dhe ashtu sikur kemi bërë dhe me platformën në Llogara për ta kthyer në një platformë me kushte dhe perimetra sigurie, çka është më e rëndësishme tani.

Deri më tani, autoritetet kanë identifikuar rreth 5 pika, të cilat mund të shndërrohen në platforma panoramike me të gjitha kushtet e sigurisë për qytetarët dhe turistët.

Tv Klan