Edhe dy ndeshje për t’u luajtur dhe pesë skuadrat e fundit në renditjen e Superligës nuk dinë se ç’do të bëhet me to.

Partizani, Apolonia, Elbasani, Lushnja dhe Bylisi janë shumë pranë me pikë me njëra-tjetrën dhe në 180 minutat e mbetura deri në fund të sezonit këto ekipe mund në ndërrojnë lehtësisht vendet mes tyre.

Duke e filluar nga Partizani i vendit të tetë, skuadra e kryeqytetit ka dy ndeshje mjaft delikate me Elbasanin dhe Lushnjën, me të cilat i ndan vetëm një pikë.

Duke qenë në këtë situatë Partizani është ekipi më i sulmuar nga të dy rivalët. Më të vështirë mendohet ta ketë me Elbasanin që ka lojtarë më të mirë.

Për skuadrën e Shpëtim Duros do të jenë minutat që me shumë mundësi do të përcaktojnë që ekipi të luajë ndeshjen e play out-it për të siguruar qëndrimin në Superligë.

Elbasani përveç Partizanit do të luajë dhe me Teutën në ndeshjen e fundit, por ndaj këtij ekipi nuk ka pse të shqetësohet shumë sepse durrsakët kanë arritur vendin e 4 në renditje.

Lushnja me shumë mundësi do të bjerë pasi përveç Partizanit do ketë në rrugën e vet edhe Vllazninë, e cila kurrsesi nuk do të tolerojë.

Apolonia do të hasë pak rezistencë ndaj Besës së mesit të tabelës dhe Shkumbinit të vendit të 5. Edhe Bylisi është thuajse në të njëjtën situatë me Apoloninë, pasi përvec Shkumbinit luan në ndeshjen e fundit me Dinamon e vendit të tretë dhe që nuk rrezikon këtë pozicion.

Ndërsa titullin kampion do ta përcaktojë vetëm ndeshja e fundit e sezonit mes Vllaznisë dhe Tiranës.

Kjo e fundit luan këtë javë me Dinamon dhe derbi nuk do të ndryshojë natyrën e vet./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe