244 familje futen në banesa të reja këtë fundvit si pjesë e programit të rindërtimit në Fushë Krujë. Kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në kompleksin e ri të ndërtimit.

Ai uroi banorët për banesat e reja dhe tha se janë me standarde europiane. Po ashtu ai foli edhe për probleme për të sistemuar pronat sepse një pjesë ka qenë publike dhe një pjesë private. Shembull mori një rast në Laç.

“Sa mbaronte një pjesë private, tak dilte një tjetër. Ne na është dashur të përballemi me të gjitha hallet dhe problemet si shtet që përballet edhe një familje e zakonshme.

Sot që flasim në Laç, akoma në lagjen nr. 2 që po e ndërtojmë me financimin tonë nuk po arrijmë t’i fillojmë të gjitha pallatet a e dini pse? Se ka dalë një gjykatës atje që i ka dhënë një sigurim padie njërit që rri atje, ka marrë gjithë lagjen peng, se ka një dyqan atje që duhet faktikisht ta lëshojë, të ndërtohet nga e para, ta marrë ai prapë! Jo! Mban peng”, tha Rama.

Rama u shpreh se pandemia ka shtyrë përfundimin e procesit, por gjithsesi qeveria nuk ka lënë asnjë person në rrugë pas tërmetit të 2019-s. Gjithashtu kreu i qeverisë nuk kurseu ironinë edhe me Partinë Demokratike duke u përmendur qytetarëve të pranishëm, bravën./tvklan.al