Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Partia Socialiste do të dalë e vetme në zgjedhjet lokale të këtij viti, por në komuna dhe bashki të ndryshme do të bashkëpunojë me aleatët e saj të koalicionit Aleanca për Shtetin. Bisedimet, për përcaktimin e një platforme të përbashkët elektorale, kanë filluar me PAD, me kërkesën e kryetarit të saj Neritan Ceka. Ai është takuar me sekretarin e përgjithshëm të PS Gramoz Ruçi, i cili do t’i paraqesë KPD-së, propozimet përkatëse për bashkëpunimin me aleatët.

Gramoz Ruçi:- “Për zgjedhjet e pushtetit lokal, çdo subjekt politik, pavarësisht se kush parti ishte ajo, e madhe apo e vogël, mund të konkurrojë e vetme për proporcionalin, pra për të testuar veten, për të ruajtur identitetin e vetes, për të nxjerrë këshilltarët e vetë dhe s’ka asnjë lidhje me bashkëpunimin midis, partive të ndryshme të të njëjtit spektër, apo të një aleance përkatëse. Ashtu sikurse është bashkëpunimi psh. i pjesshëm në zona të veçanta elektorale, ku kandidatët tanë mund të mbështeten në aleatët tanë dhe anasjelltas”.

Neritan Ceka:- “Nuk mund të flitet për bashkime të PS, sepse koalicioni ekziston, nuk është prishur, natyrisht ligji elektoral për zgjedhjet lokale, favorizon një numër të madh taktikash dhe mundësi strategjie, të cilat duhen përcaktuar që në fillim”.

Bisedimet për bashkëpunimin elektoral, sipas konventës së koalicionit Aleanca për Shtetin, pritet të zhvillohen gjatë javës së ardhshme me PS dhe aleatëve të saj, përfshirë edhe socialdemokratët./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço