Komisioni i Ligjeve pas pesë orë debatesh mes deputetëve votoi me shumicë votash pro draftit konsensusal të arritur mes PS-së dhe PD-së për Kodin Zgjedhor.

Risia në këtë draft është vota e diasporës. Opozita theksoi se në këtë proces të përfshihen edhe qytetarët të tjerë që për arsye të ndryshme ndodhen jashtë vendit ditën e zgjedhjeve. Propozimi i PD, u mirëprit edhe nga socialisti Damian Gjiknuri.

Debati mes palëve u zhvillua më tepër për faktin se vetëm 1/3 e listës së shumëemërore të deputetëve të do të jetë e mbyllur, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e hapur. Partitë e vogla dolën kundër duke i cilësuar diskriminuese. Ndërsa kreu i grupit demokrati, Gazment Bardhi tha se hapja e 2/3 së listave është një progres.

Gazment Bardhi: Qartësisht jemi para një progresi krahasuar me atë që ishim.

Dashnor Sulaj: Pse na heq mundësinë që ai më i bukuri të ketë mundësinë të jetë deputet, kurse ky më i shëmtuari, unë, që marr më shumë, 3 apo 4 herë më shumë vota se ai, nuk mund të kem mundësinë që të jem deputet.

Enkelejd Alibeaj: Sot po i dhurohet mandatit i katërt Edi Ramës në tavolinë.

Në projektligjin e siguruar nga TV KLAN përcaktohet se i gjithë procesi për votën e diasporës deri në numërimin e tyre do të realizohet nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Vota do t’i llogaritet adresës se fundit ku shtetasi ka deklaruar se ka jetuar në Shqipëri.

“KQZ dërgon nëpërmjet shërbimit postar fletët e votimit dhe çdo material tjetër zgjedhor dhe informativ në adresën e deklaruar të vendbanimit të zgjedhësit sipas listës së zgjedhësve për votimin nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.  Fleta e votimit është e njëjtë me fletën e votimit që përdoret brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.”

PS dhe PD kanë rënë dakord që pragu elektoral të jetë 1 për qind. Në konsensus mes palëve u vendos që të hiqet pragu prej 7 mijë votash që ishte përcaktuar me herësin. Ndërsa nuk ka pranuar propozimin e opozitës për koalicione parazgjedhore.

Ndërsa 1/3 e listave të deputetëve do të jenë mbyllura, ndërsa pjesa tjetër do të jetë e hapur dhe listat e kandidatëve duhet të shpallen 50 ditë përpara zgjedhjeve.

“Kandidatët e listës shumemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.”

Ndryshimet më të fundit të Kodit Zgjedhor erdhën edhe si rezultat i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kryesisht për votën e emigrantëve dhe herësin në zgjedhje.

Tv Klan