Pas shtatë vitesh te PSG, Kylian Mbappe më në fund siguroi transferimin e ëndrrave të tij te Real Madridi. Por largimi i tij nga parisienët këtë verë nuk ishte i qetë, e tani situata është komplikuar.

Sipas gazetës franceze “Le Monde”, dy muaj pas përfundimit të kontratës, mes Mbappe, klubit dhe aksionerit kryesor Qatar Sports Investments, ka mosmarrëveshje për pagat e supozuara të papaguara.

Kapiteni i Francës pretendon se PSG i detyrohet një shumë prej 55 milionë eurosh bruto, që ende nuk janë depozituar në llogarinë e tij bankare.

Në këtë shumë përfshihet edhe një bonus mirëseardhjeje me vlerë 36 mln euro që Mbape duhet që ta merrte në muajin shkurt, tri rrogat e muajve të fundit si edhe një bonus etike për këtë periudhë kohore.

 Përfaqësuesit ligjore i dërguan një letër klubit parisien në mesin e muajit qershor, por duke mos marrë përgjigje, u vendos që të procedojnë duke u bërë kërkesë institucioneve për ta zgjidhur ligjërisht çështjen.

Mbape e ka referuar çështjen në komitetin ligjor të Ligës Profesioniste të Futbollit dhe nëpërmjet ndërmjetësimit të federatës franceze të futbollit në UEFA.

Klan News