Veteranet kundër teknikut, ndeshja me Bologna vendimtare për të ardhmen

Rezultatet e fundit negative kanë vënë në rrezik pozicionin e Massimiliano Allegrit. I konsideruar si përgjegjësi kryesor për formën e torinezëve deri në këtë pikë të sezonit, 55-vjeçari mund t’i jap lamtumirën bardhezinjve shumë shpejt.

Siç raporton “Tuttosport”, Allegri nuk është i paprekshëm por për momentin askush në postet drejtuese nuk po mendon për përjashtimin e tij. 


Pas disfatës ndaj Monza, tekniku është shoqëruar drejt banesës së tij nga forca të shumta policie, pasi Allegri kishte frikë nga ndonjë sulm fizik prej tifozëve të bardhezinjve. Edhe situata në dhomat e zhveshjeve nuk është ajo e duhura. Garda e vjetër ka dal kundër teknikut, duke konfirmuar krizën që po kalon Juventusi nën drejtimin e 55-vjeçarit.

Durimin me Allegrin e ka humbur edhe lojtari i marrë në këtë merkato vere, Angel Di Maria. Argjentinasi dyshohet se luajti i dëmtuar në duelin e fundit, çka nuk është pritur mirë prej tij, duke u ndëshkuar edhe me karton të kuq. Pushimet prej kombëtareve vijnë në një moment të mirë për Allegrin.

Këto ditë italiani do i shfrytëzojë për të reflektuar dhe rikthyer qetësinë në skuadër. E sigurt është se nëse rezultatet e duhura nuk arrijnë as në javët e ardhshme, hipoteza e largimit të tij mund të merret seriozisht në konsideratë.

Ndeshja e radhës ndaj Bolonjës do të jetë tepër vendimtare për fatin e tij.

Klan News