Lajme Arkiva 2003

Qeveria reagon në lidhje me problemet parazgjedhore të konstatuara nga presidenti dhe misioni ODIHR-OSBE.

Zëdhënësi i qeverisë Aldrin Dalipi nëpërmjet një deklarate për shtyp vëren se fushata elektorale po zhvillohet e qetë dhe pa incidente.

Qeveria anashkaloi në deklaratën e saj çështjen e balancimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas Dalipit, probleme kanë sjellë vetëm KZQV-të

Aldrin Dalipi: Qeveria përshëndet veprimtarinë e deri tanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por mbetet e shqetësuar për konstatimet e bëra në lidhje me funksionimin e Komisioneve Zgjedhore Vendore, prandaj i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të marrë masa të menjëhershme për trajnimin e komisionerëve.

Sipas qeverisë akti normativ për policinë e shtetit nuk ka synuar dhunimin e zgjedhjeve por garantimin dhe mbrojtjen e tyre.

Ndërsa në lidhje me vonesat e financimit të partive politike për fushatën elektorale, qeveria fajëson paqartësinë e Kodit Zgjedhor.

Çështja tashmë konsiderohet e zgjidhur, pas ndërhyrjes së qeverisë nëpërmjet një akti normativ me efekte të menjëhershme.

Në lidhje me konfliktin e interesave të kandidatëve e që mbajnë poste qeveritare, qeveria konstaton se nuk ka konflikt interesi, por pavarësisht kësaj, zyrtarët lokal janë pezulluar nga puna./tvklan.al