Reforma e investimit, integritetit dhe rritja ekonomike janë diskutuar në Vienë, në tryezën ministeriale të vendeve pjesëmarrëse nga Evropa Juglindore. 10 vende nga Evropa Juglindore kanë rikonfirmuar angazhimet e tyre për të forcuar iniciativat kombëtare dhe bashkëpunimin rajonal në fushën e politikës së investimit përmes pjesëmarrjes në procesin e kompakteve të investimeve. Ministri i Ekonomisë Angjeli u shpreh se kjo konferencë ministrore, në kuadër të paktit të stabilitetit, nxit investime direkte në ekonomi për zhvillimin e punësimit dhe uljen e varfërisë.

Anastas Angjeli: “Vendet e Evropës Juglindore, përfshi dhe Shipërinë, kanë përgatitur dhe po përgatisin një terren atraktiv për investitorët e huaj, për investime direkte në Shqipëri, qoftë nga pikëpamja institucionale duke krijuar institucionet përkatëse siç është edhe Shqipëria, që ka krijuar tashmë Agjencinë e Nxitjes së Investimeve të Huaja, qoftë nga pikëpamja ligjore, ku legjislacioni shqiptar tashmë afron të gjjitha mundësitë për të eliminuar pengesat.”

Në aktivitetin e Vienës janë dhënë çmime edhe për investitorët më të mëdhenj të vendeve të Evropës Juglindore. Pas historisë 140-vjeçare në Austri dhe thuajse tre muajve operim në tregun shqiptar Raiffeisen Bank merr çmimin e investitorit më të madh në vend për vitin 2003. Çmime të tilla u janë dhënë 10 vendeve të Evropës Juglindore si investitorët më të mëdhenj të vitit.

Në takimin e përbashkët në Vienë në kuadër të paktit të stabilitetit merrnin pjesë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Moldavia, Rumania e Serbi, Mali i Zi. Raiffeisen, ky aksioner i ri arriti të privatizojë Bankën e Kursimeve pa kufizime në mes të muajit prill. Shqipëria ishte një nga tregjet e pakta në pjesën e Evropës Lindore e Qendrore kur Raiffeisen nuk ishte i pranishëm. Për drejtuesit e bankës Shqipëria ka shumë potencial në tregje, sidomos në shërbime bankare. Po çfarë ofron menaxherja e veprimeve bankare Raiffeisen për Shipërinë?

“ Ju e dini që qeveria është e angazhuar për të luftuar korrupsionin. Ne e mbështesim qeverinë në këtë qëllim dhe ofrojmë llogari bankare për individë privatë, rrogat e puntorëve e zyrtarëve duke mos i tërhequr kesh, veprim që ndihmon për t’i kthyer paratë nga rruga në llogaritë bankare. Ky veprim është lehtësues, ul shkallën e korrupsionit dhe ka si qëllim që njerëzit t’i tërheqin paratë kur ata kanë nevojë, qëllim ky i rëndësishëm që është në koordinim me politikën e qeverisë.”

Raiffeisen, pas investimit të 126 milionë eurove, kërkon të funksionojnë kursimet bankare në vend.

“Premtoj se në vjeshtë do të kemi prodhim dhe shërbime për njerëzit dhe kompanitë. Shqipëria e ka tashmë një treg bankar funksionues dhe ne shpresoj ta zhvillojmë më tej. Për të gjithë ata që janë në Shqipëri, por edhe për ata që janë jashtë ne do të sjellim investime të huaja. Shqipëria ka një reputacion më pak nga sa ajo meriton. Ne do ta ndihmojmë dhe do t’u tregojmë njerëzve vendin që zë Shqipëria në Evropë.”

Vlerësimi i marrë në Vienë ritregoi se Raiffeisen kërkon të sjellë njohuri praktike në industrinë bankare në Shqipëri, do të nxisë investimet e huaja e pritet të ofrojë shërbime bankare ndaj individëve dhe korporatave./tvklan.al