Kryesocialisti Edi Rama paralajmëroi, se vendi do të përballet me krizë financiare nëse qeveria nuk rinovon marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Rama adresoi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave Bode, duke i akuzuar për papërgjegjshmëri dhe rikthim në të shkuarën.

Edi Rama: “Të hysh në një vit elektoral me Sali Berishën dhe Ridvan Boden, presidentin dhe ministrin e Financave të piramidave të vitit 1996, pa monitorimin e buxhetit të shtetit nga FMN-ja është njësoj si të shkosh në zgjedhje me Saliun e 26 maj 96 pa OSBE-në dhe pa karta identiteti. Partia Socialiste është kategorikisht kundër vendimit shumë të rrezikshëm për Shqipërinë dhe për shqiptarët të kryeministrit Sali Berisha për të larguar FMN-në nga Shqipëria. Unë deklaroj publikisht, se në rast se Sali Berisha do të ndërpresë arbitrarisht marrëdhënien me FMN-në, duke mos rinovuar marrëveshjen me këtë institucion të domosdoshëm për ecurinë e vendit në këtë fazë të rrugës së tij, marrëveshja e parë që ne4 do të nënshkruajmë pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2009 do të jetë marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar.”

Kryetari i Partisë Socialiste theksoi, se niveli i marrëdhënieve me FMN-në nuk duhet të përcaktohet nga dëshira apo vullneti i njërës palë, por duhet të jetë shprehje e një vendimmarrje kolegjiale./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi