Kur kanë mbetur pak muaj përpara zgjedhjeve dhe ethet e garës elektorale përqendrohen tek ballafaqimi mes programeve të partive politike, kreu i selisë rozë Edi Rama deklaroi, se platforma e socialisteve do të ketë ne themel të saj shqetësimin qytetar.

Edi Rama:Një forcë politike e shkruan programin e saj duke u nisur nga shqetësimet dhe sugjerimet e njerëzve dhe harton një program jo për të marrë votat, po për të qeverisur me votat e marra. Opozita jonë është bartëse dhe përçuese e një fryme europiane dhe jo bartëse dhe përçuese e asaj fryme të vjetër vulgare dhe përçarëse, që ka  karakterizuar opozitat e shkuara.”

Duke u ndalur tek koalicioni zgjedhor, Rama tha, se bashkimi I ri përtej së majtës dhe së djathtës, do të jetë koalicioni i gjerë qytetar dhe se Partia Socialiste do të kthehet në një instrument të njerëzve që duan të kontribuojnë duke qenë pjesë e opozitës.

Edi Rama:Bashkimi ynë i ri synon një koalicion të gjerë qytetar që e duan ndryshimin dhe që nuk mund dhe nuk duhet të jenë të përjashtuar nga përpjekja për ndryshim për faktin se nuk, janë të përfshirë apo të rreshtuar në një parti apo në një parti tjetër.”

Këto deklarata Rama i beri gjatë një konference për shtyp, një ditë pas protestës së organizuar nga opozita në përkujtim të tragjedisë së Gërdecit, ku falënderoi në mënyrë të veçantë të gjithë ata qytetar që marshuan nën moton “Mos Harro”./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro

Operator: Ben Haxhiaj