“Mos harro” është moto që ka udhëhequr protestën opozitare në sheshin “Skënderbej”, protestë që përkujton 26 viktimat tragjedisë së 15 marsit 2008.

PS u bë nismëtare e këtij tubimi qytetar që filloi në orën 12 të mesditës nga Gërdeci për t’u ndalur në sheshin qendror të Tiranës. Mbështetur nga PSD-ja, Demokracia Sociale dhe G99.

Në fjalimet e tyre përpara qytetarëve të mbledhur në shesh, kryetarët e partive në opozitë adresuan akuzat e ashpra ndaj qeverisë.

Skënder Gjinushi: “A e patë me çfarë kurajo dhe paturpësie kryeministri në 1 vjetorin e Gërdecit kërkon një mandat të dytë për të bërë një “Gërdec” të dytë, në kulm të krizës shqiptare ai flet për suksesin.”

Paskal Milo: “Duart e përgjakura të një klike gjakatareje që nuk ngopet me pushtet, që nuk ngopet me para, që doli në krye të pushtetit në emër të luftës kundër korrupsionit u bë simboli më i madh i korrupsionit.”

Erion Veliaj: “Ka kaluar një vit, një vit ku shteti shqiptar jo vetëm i vrau shqiptarët, por shteti shqiptar akoma nuk ka kërkuar ndjesë. Një vit ku shteti shqiptar akoma nuk ka dhënë drejtësi.”

Protestuesit kanë marshuar më pas në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara selisë qendrore të qeverisë, kryesocialisti Edi Rama tha, se vendi ka më shumë se kurrë nevojë për ndryshim.

Ai ftoi qytetarët të behën pjesë e bashkimit të madh që do të garantojë sipas tij një të ardhme të sigurtë për vendin.

Edi Rama: “Ne s’jemi këtu për të vazhduar luftën abuzive për pushtet, duke keqpërdorur plagët e njerëzve, por për të dëshmuar vullnetin e një bashkimi të ri njerëzish për të shëruar plagët e hapura nga abuzimi 18 vjeçar me pushtetin. U themi kundërshtarëve tanë në pushtet, apo aleatëve të tyre në opozitën e opozitës se mungesën e tyre të vizionit e të ideve për të ardhmen nuk e mbushin dot me baltën e me mllefin ndaj nesh. Dita e sotme nuk ishte asgjë tjetër përveç manifestimit të dashurisë sonë për vendin dhe për njëri-tjetrin. Me këtë dashuri ne do ta ndryshojmë vendin dhe jetën tonë.”/tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi