Partia Republikane e konsideron sjelljen e opozitës ndaj tragjedisë se Gërdecit si të turpshme dhe manipuluese. Në një vjetorin e kësaj tragjedie nënkryetari i Partisë Republikane, Neritan Alibali, tha se opozita po e shfrytëzon politikisht këtë ngjarje.

Nertian Alibali: “Manipulimi që u kanë bërë në vazhdimësi disa prej banorëve të Gërdecit, duke i futur në greva urie e duke i tërhequr ashtu të uritur zvarrë nëpër sheshet e Tiranës, apo duke i vënë të lexojnë fjalime të përgatitura prej tyre nëpër mitingjet politike, është i pa precedent, është i pamat dhe i pa skrupull. Qëllimi i liderëve kryesor të opozitës është së pari, linçimi politik dhe dënimi me çdo kusht i kryetarit të PR Fatmir Mediu, si ndëshkim ndaj qeverisë, duke qenë se zoti Mediu është një nga drejtuesit kryesor të mazhorancës qeverisëse dhe së dyti, nëpërmjet trysnisë të mos e lejojë prokurorinë që të thellojë hetimet në aferat shumëvjeçare, që disa prej liderëve kryesor të opozitës kanë në bashkëpunim me zotin Delijorgji.”

Me tej Alibali tha, se mitingu i opozitës në përkujtim të Gërdecit është presioni i radhës që i bëhet drejtësisë shqiptare dhe fillim i një fushate elektorale.

Nertian Alibali: “Format e përdorura të sensibilizimit mediatik dhe të trokitjes derë më derë janë element tipik të një fushate elektorale për më tepër edhe slogani e saj “Mos harro”.  PR e pranon sfidën e kësaj fushate dhe u kërkon drejtuesve të spikatur të opozitës që të mos harrojnë telefonatat e shumta dhe të gjata që kanë bërë me zotin Delijorgji me qindra të tilla, tabulatet e të cilave disponohen. Të mos harrojnë udhëtimet jashtë shtetit dhe qëndrimet në hotelet luksoze me shpenzimet e zotit Delijorgji. Të mos harrojnë marrëdhëniet e biznesit që kanë edhe sot e kësaj dite me zotin Delijorgji dhe të cilat vazhdojnë të jenë me efektivitet të lartë. Të mos harrojnë lehtësirat që nëpërmjet pushteteve të tyre i kanë krijuar zotit Delijorgji për bizneset e tij në shkëmbim të përfitimeve”./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro