Fjalimin e tij përpara delegatëve të Kongresit të Partisë Socialiste Edi Rama e nisi me një falenderim ndaj Lindita Nikollës, e cila dha dorëheqjen e Kryetares së Parlamentit për arsye shëndetësore.

“Lindita është një shembull kuptimplotë se si duhet të jetë në çdo rrethanë dhe vështirësi individi i zgjedhur nga ky komunitet në çdo hap dhe në çdo nivel përfaqësimi,” tha kryeministri Edi Rama.

Për Edi Ramën ky Kongres nuk është vetëm një stacion në rrugëtimin e Shqipërisë së 2030, por edhe i shtëpisë së tij politike. Foli për dembelë, servilë, të paudhë e tradhëtarë nga rradhët e deputetëve të tij, të cilëve u bëri dush të ftohtë, duke i kërkuar ndjesë qytetarëve që i votuan tre vjet më parë.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Këta deputetët që dalin në popull vetëm për të më shoqëruar mua, ku shkojnë në zonën e tyre apo ku shkojnë në organizatat e partisë vetëm për të bërë një fotografi prezence që iu del zëri, vetëm kur trokasin nëpër zyrat e shtetit për punët e tyre, të familjes së tyre, të tarafit të tyre, duken në foltoren e Kuvendit një herë në Hënë dhe duket sikur kanë ardhur nga Hëna apo të gjuajnë brenda shtëpisë duke hedhur gurin dhe duke fshehur dorën, por duke harruar jashtë gjuhën e tyre që nuk pushon.

Mesazhet për tradhtarët e shtëpisë u pasuan nga batutat, ku parashikoi si orakull të ardhmen politike të anëtares më të re në gjirin e socialistëve.

“Do kem dëshmitar Pandi Majkon kur mos të jem më se Pandi Majko është i vetmi i pavdekshëm këtu dhe kur Helena të bëhet kryetare  e Partisë do dëshmojë përpara gjeneratës X që e ka thënë dikur njëri nga ata më duket se ishte Edi Rama. Se kushedi e sa do ketë përcjellë në Sharrë apo në Tufinë se është mik me Lali Erin dhe ia gjen varret aty ku do”, tha Rama.

Të vetëve u kujtoi se për hesapet e hapura me drejtësinë do duhet të përgjigjet para ligjit.

“Kush ka këtu llogari për të dhënë për korrupsion e ka adresën tek SPAK-u. Kush s’ka mizë nën kësule dhe e thërrasin për të dhënë shpjegime, të shkojë të japë shpjegime. Të mësohemi edhe me këtë që ligji është i barabartë për të gjithë. Je ministër s’je ministër, ke qenë s’ke qenë, i kë futur duart në xhepa këtij populli do japësh llogari për xhepat”, u shpreh Rama.

Jo pak u mor me kundërshtarët e tij politikë, të cilët i akuzoi se e kthyen parlamentin në vend çedukues.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: E kanë kthyer Partinë Demokratike në një cisternë të ndryshkur helmi e cila nuk i bën më asnjë punë as dreqit të vet.

Madje opozitën e paralajmëroi edhe për tërmetin elektoral të radhës që e pret në pranverën e 2025.

“Janë të dënuar të zhgënjehen sa herë numërohen votat dhe nuk kanë faj në fakt se atë që ta bën Partia Socialiste nuk ka as tërmet dhe as breshër që ta bën kur i del përballë. Do thoni ju pse sa do të rrimë ne në pushtet 50 vjet, po pse të mos rrimë 100. Kush na ndalon? Ja sheshi ja mejdani, ja dhe Muço kapedani. Unë dua që në betejën e 10 të rradhës PS të marri notën 10 me rezultatin më spektakolar të periudhës së drejtimit tim”, tha Edi Rama.

Qytetarët i ftoi pavarësisht se ku jetojnë të bëhen pjesë e platformës “Deputeti që duam”, për ta çuar përpara vendin në BE.

Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë: Unë nuk i siguroj dot ata të cilëve po iu drejtohem se do të bëhen deputetë se i takon secilit të bindë njerëz të bëjë ndjekës, duke sjellë vota për skuadrën tonë, por unë i siguroj se nuk ka asnjë derë tjetër që iu bën punë asnjë. Pazari i politikës ka plot dyqane, por PS është e vetmja derë.

Në Kongresin e socialistëve u prezantuan edhe projektet e qeverisë që presin të nisin e që janë në punë e sipër, duke nisur nga ato në infrastrukturë, energjetikë, rritja e pagave e reforma e pensioneve, si dhe në turizëm.

Ndërkohë delegatët e Kongresit zgjodhën me votën e tyre edhe 156 anëtarët e rij të Asamblesë të cilët do të zgjedhin më pas kryesinë e re dhe sekretariatin e Partisë Socialiste.

Tv Klan