Brenda qershorit asnjë konsumator nuk do të paguajë më faturat e energjisë elektrike aforfe. Kryeministri Edi Rama, gjatë inaugurimit të Qendrës Kombëtare Dispeçer dhe sistemit të i ti të kontrollit SCADA/EMS, projekt ky i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, tha se të gjitha investimet e bërë gjatë këtyre 3 viteve janë mundësuar vetëm fal reformës në sistemin energjetik, që jo vetëm nxori vendin nga kolapsi por arriti të gjenerojë të ardhura të mëdha.

“Bëmë reforma pa rritur çmimin e energjisë”, theksoi shefi i qeverisë. Por pavarësisht se ndihet krenar për çka ka  bërë, Rama thotë se më shumë se çdo shqiptar, ai është i pakënaqur dhe kjo përballë pritshmërive qe ai ka nga qeveria e tij. “Jam krenar, por i pakënaqur”, deklaroi Rama.

Qendra Kombëtare Dispeçer është financuar përmes një kredie nga qeveria italiane. Vlera e tij është  afro 7 milion euro për ndërtesën e re dhe 16 milion euro për sistemin SCADA/EMS.

Projekti i sistemit SCADA/EMS, ka qenë kushti kryesor për anëtarësimin e OST në rrjetin evropian të operatorëve të sistemit të transmetimit për energjinë elektrike. /TV KLAN