Largim nga Europiani me kokën lart. Kështu e ka vlerësuar Kryeministri Edi Rama ecurinë e Shqipërisë në Euro 2024, që sonte u skualifikua nga Kampionati Europian pas humbjes 1 me 0 me Spanjën.

“FALEMINDERIT. Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të

Sot skuadra jonë e re dhe me një potencial shumë premtues largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”, shkruan Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

Në fazën e grupeve, Shqipëria humbi 2 me 1 ndeshjen e parë me Italinë, barazoi 2 me me Kroacinë dhe humbi ndeshjen e fundit 1 me 0 me Spanjën.

/tvklan.al