Në prag të 4 Korrikut që shënon 248-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasada e këtij vendi në Tiranë bëri bashkë në një pritje të posaçme, krerët më të lartë të shtetit, përfaqësues të politikës, medias, drejtësisë dhe besimeve fetare.

Jo pa qëllim në dekorin e Pallatit të Kongreseve ishin vënë pamje të qyteteve amerikane me përqendrimin më të madh të diasporës shqiptare. Edhe David Wisner, i ngarkuar me punë i SHBA në vendin tonë, e vuri theksin tek lidhjet mes dy vendeve.

“Këtë mbrëmje, dëshirojmë të na bashkoheni për të nënvizuar një lidhje të veçantë që na lidh, atë të përkushtimit ndaj shërbimit publik. Ndonjëherë dëgjoj se shqiptarët kanë rezerva ndaj shërbimit publik, duke kujtuar ngjyrimet që ky koncept kishte gjatë periudhës së errët në historinë e Shqipërisë. Gjatë vitit tim këtu, kam parë se realiteti është pak më i ndryshëm dhe në fakt më bën të kem më shumë optimizëm”, u shpreh ai.

Si një nga reformat që po merr rrugë, Wisner nënvizoi atë në sistemin e drejtësisë.

“Shoh gjyqtarë, prokurorë, hetues, avokatë dhe shumë të tjerë që punojnë shumë për të reformuar sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe për të luftuar korrupsionin, në mënyrë që të gjithë të jenë me të vërtetë të barabartë përpara ligjit”, tha Wisner.

Ndërsa Presidenti i Republikës Bajram Begaj e vuri theksin tek mbështetja që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për vendin tonë që prej themelimit.

“Një nga kontributet më të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri mbetet reforma në drejtësi, thelbësore për shëndetin e demokracisë sonë dhe rrugën për integrimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh Begaj.

Kreu i shtetit theksoi rëndësinë që ka partneriteti me Shtetet e Bashkuara në një kohë krizash të thella globale.

Tv Klan