Në vazhdim të dëgjesave publike për buxhetin e vitit 2009 për bashkinë, kryetari Edi Rama, këtë herë bisedoi me qytetarët e Njësisë Bashkiake numër 9. Në takim theksi u vu në ndërhyrjet që Bashkia e Tiranës ka realizuar për rehabilitimin e blloqeve të banimit, të cilat kanë ardhur duke u përmirësuar në drejtim të cilësisë urbane.

Edi Rama: “Ne mund të jemi krenarë, përpara dhjetëra e mijëra familjeve të kryeqytetit, që u kemi krijuar dhe po u krijojmë përditë, kushte tërësisht të reja aty ku banojnë dhe njëkohësisht e nënvizoj faktin, që shumica e këtyre blloqeve, janë blloqe në periferi, flet për një vizion integral të kryeqytetit”.

E veçanta këtë vit është që ndërhyrjet në blloqet e banimit, tashmë janë bërë komplekse, ku përveçse në infrastrukturën rrugore të brendshme të blloqeve, këtë vit do të ndërhyhet paralelisht në sipërfaqen urbane, sheshe dhe gjelbërim./tvklan.al