Kryetari socialist Edi Rama ka vazhduar rrugëtimin e tij në fshatrat e Pogradecit. Në takim me fermerë të komunave Rodokal, Velçan, Trebinjë, Stropçkë, Rama është shprehur se rritja e çmimeve është ndjerë më shumë në fshatra, si pasojë e mungesës së vëmendjes nga shteti.

Edi Rama: “Si mund t’i përballojmë ne çmimet që rriten përditë në qoftë se ne nuk prodhojmë, në qoftë se ne nuk i kundërpërgjigjemi gjithë agresionit që bën tregu rreth e rrotull nesh me prodhime tona. Kosto e cila është artificiale për shkak të pamundësive dhe të mungesës së partneritetit mes bujkut, fermerit dhe shtetit.”

Gjatë diskutimeve me banorë të fshatrave të Pogradecit, Rama ka deklaruar se varfëria duhet frenuar përmes një programi konkret.

Edi Rama: “Të refuzojmë që të bëjmë sherr e të grindemi me njëri-tjetrin këtu në fshat për shkak të politikës, politikanëve në Tiranë sepse ndasitë, grindjet, sherret shtyjnë ditët, muajt e vitet e një politike, e cila e ka katandisur Shqipërinë në varfëri e papunësi.”

Kryetari socialist ka kërkuar nga fermerët të mos e shikojnë politikën të ndarë në të majtë dhe në të djathtë, por të bëhen pjesë e bashkimit të ri që ofron politika e re./tvklan.al

Gazetare: Daniela Zizi