Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama është takuar me vullnetarët në qytetin e Pogradecit. Gjatë fjalës së tij Rama tha, se askush 18 vjet më parë nuk mendonte dot se sot Pogradeci do të ishte i papunë, ndërsa ju drejtua vullnetarëve se së bashku me të gjithë shqiptarët që e duan ndryshimin do ta bëjnë atë të mundur më 28 qershor.

Edi Rama: “Ka 18 vjet që politika flet pa pushim dhe pa pushim bën të kundërtën e asaj që thotë, ka 18 vjet që politikanët e vjetër na e tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre dhe prej 18 vjetësh shtohen shqiptarët e vënë në shënjestër nga varfëria. Miku im puna nuk është thjesht të rroj unë dhe të rrosh ti, po puna është si do rrojmë unë dhe ti dhe të gjitha bashkë në këtë vend.”

Nga Pogradeci kreu i Partisë Socialiste premtoi për ndërtimin e një qeverie që do të bëjë gjithçka që do të thotë. 

Edi Rama:Fitorja e 28 qershorit nuk do të vijë për të ndërruar disa ministra e disa të tjerë. Fitorja e 28 qershorit do të vijë për të lidhur më në fund fjalët me veprat, për të lidhur më në fund vullnetin popullit me sjelljen dhe me rezultatet e përfaqësuesve të tij, për të lidhur më në fund politikën me problemet e jetës reale dhe me hallet konkrete të njerëzve në të gjithë Shqipërinë.”

Në këtë takim Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos lënë fushatën që po vjen në duart e politikanëve dhe për të mos i falur politikës së vjetër, të premtimeve të pa mbajtura siç tha ai një tjetër shans që demokracia ua jep qytetarëve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami