Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rritja e mirëqenies rrezikohet nga mungesa e investimeve publike dhe zgjedhjeve lokale, ndërsa ekonomia mbahet me paratë e emigrantëve dhe të turizmit. Industria nuk do të shënojë rritje, ndërsa shërbimet dhe tregtia do të kontribuojnë për të mbuluar efektet negative të importeve në rritje.

Kjo është panorama ekonomike, e paraqitur nga Banka e Shqipërisë, në raportin e 6 mujorit të politikave monetare. Ekonomia është mbështetur pak nga investimet publike, sipas Bankës Qendrore. Ministria e Financave ka deklaruar vetëm 63% investime publike të realizuara, ndërsa tensionet politike të mundshme që shoqërojnë zakonisht fushatat zgjedhore do të paralizojnë nismat private për investime, thekson raporti.

Ekonomia do të vazhdojë të mbështetet tek paratë e emigrantëve, shërbimet dhe turizmi. Të ardhurat nga emigrantët arrijnë mbi 190 milion dollarë vetëm për tre muajt e parë të vitit, duke mbuluar pjesën dërrmuese të deficitit tregtar në rritje.

Raporti nuk parashikon rritje të sektorit industrial, kjo për faktin se nuk janë vërejtur investime të tilla në teknologji që të rrisin rendimentin dhe eficencën. Banka Qendrore vëren se përqendrimi i investimeve në pjesën e dytë të vitit dhe gjendja energjetike ende problematike mund të ndikojnë tek rritja e inflacionit.

Qeveria shqiptare dhe Banka e Shqipërisë kanë si objektiv rritjen ekonomike deri në masën 6%, si dhe mbajtjen nën kontroll të inflacionit./tvklan.al