Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Koalicion klinikisht i vdekur e ka quajtur aleancën me Partinë Socialiste, kryetari i PBDNJ Vangjel Dule. Ai shprehet se janë duke konkluduar bisedimet e bëra mes kreut të PS Nano dhe kësaj aleance me PBDNJ. Edhe pas mbledhjes së kryesisë nuk është përcaktuar qëndrimi i tyre, gjithçka i është lënë kongresit.

Vangjel Dule: “Flitet për një koalicion, në një kohë që kemi të bëjmë me një koalicion klinikisht të vdekur. Ajo që mund të flitet dhe për atë që përqëndrojmë vëmendje dhe diskutojmë është t’i japim vendit si politikanë, si foca poitike, një kuadër ligjor i drejtë, i barabartë, transparent që garanton zgjedhje të pa kontestueshme.”

Por këtë fakt nuk e pranon Partia Socialiste. Sekretari i përgjithshëm i saj Gramoz Ruçi shprehet, se faza e parë e bisedimeve është mbyllur, e mazhoranca së bashku me aleatët është në gjendje të qeverisë vendin.

Gramoz Ruçi: “Takimet kryeministri sapo i ka përfunduar me aleatët është takuar me të gjithë kryetarët e koalicionit për integrim, marrëdhëniet me aleatët janë në normalitet, vazhdon koalicioni për integrim dhe kështu do të vazhdojë për të përmbushur mandatin deri në 2005.”

Vështirë t’i binden aleatët e tjerë, aleancisti Ceka pjesëmarrjes në këtë qeverisje, i vë si kusht postet.

Neritan Ceka: “Është krijuar një katërshe e partive të koalicionit, si kushte kryesore për pjesëmarrjen e tyre në qeveri vënë që të ketë një ndryshim të thellë të qeverisë për të krijuar një imazh të ri jo vetëm të qeverisë, por dhe të qeverisjes. Natyrisht që Aleanca Demokratike është në koalicion, por ne mendojmë që padrejtësisht ka një vit që është jashtë qeverisë dhe duhet të kthehet në qeveri dhe ky është një kusht për pjesëmarrjen tonë në koalicion.”

Por kreu i PAD ka shprehur dhe qëndrimin e tij të përsëritur anti-OSBE, duke e quajtur pas deklaratave të fundit një institucion partiak në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Holta Zhiti