Politika në Shqipëri luhatet mes mbajtjes së një qëndrimi radikal apo të moderuar pas miratimit nga Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara të të ashtuquajturit plani 6 pikësh i sekretari të përgjithshëm Ban ki Moon. Ish-Ministri i Jashtëm Paskal Milo, thotë se autoritetet në Kosovë, duhet ta injorojnë planin, i cili sipas tij sjell në një tjetër realitet, kërcënues për Ballkanin.

Paskal Milo: “Për mendimin tim, ata duhet ta injorojnë planin 6 pikësh, duhet t’i qëndrojnë besnik atyre deklaratave që kanë bërë dhe besnik paketës Ahtisaari, besnik Kushtetutës së Kosovës me këto hapa që po hidhen, po shkohet realisht drejt ndarjes së Kosovës. Rajonit po i hapet një plagë e re dhe një mundësi potenciale për shpërthimin e një krize tjetër”.

Arjan Starova gjithashtu ish-Ministër i Jashtëm sjell një tjetër optike e pozitive mbi planin 6 pikesh.  Ky besim lidhet në përkohshmërinë e tij, garanci e dhëne kjo nga faktori ndërkombëtar.

Arjan Starova: “Plani 6 pikësh i Ban Ki Moon-it, është krejtësisht në kundërshtim me planin Ahtisaari, është në kundërshtim me planin 4 pikësh të vetë autorit edhe kosovare, por ndërkohë duhet të jemi të qetë dhe të duruar sepse ka një element i cili është artikuluar shumë në këshillin e sigurimit, është se ky është një plan i përkohshëm në kuptimin që ai nuk do të mundet të çojë në një copëzim të Mitrovicës apo të Kosovës, është e pamundur dhe nuk është logjike dhe është kundër sens dmth që ne të presim që këta njerëz që ndihmuan Kosovën, kjo politikë  ose ky lobim ndërkombëtar të mundet të çoj në konkluzione apo në veprime të cilat mohojnë pikërisht ato parime, se një nga parimet ka qenë pandalshmëria e territorit të Kosovës”.

Arta Dade, e konsideron të papranueshëm faktin e vendosjes së strukturave paralele në Kosovë. Në pozicionin gjithashtu të ish-Ministres së jashtme, Dade shprehet e sigurt se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

Arta Dade: “Është e pa pranueshme që në Kosovë të funksionojnë strukturat paralele sikurse është parashikuar në planin Ban Ki Moon dhe sigurisht që kjo do të ishte një pengesë në sundimin e ligjit në të gjithë territorin, do të ishte një pengesë në funksionimin e unifikuar të forcave policore por edhe të pikave doganore dhe në përgjithësi të sistemit doganor. Gjithsesi unë gjykoj që nuk ka vend për t’u dëshpëruar, unë vesoj që ne duhet të dimë të artikulohemi tashmë në veprimet jo vetëm diplomatike, por edhe në veprime të tjera të koordinuar edhe më Kosovën”.

Një ditë më parë komisioni i jashtëm parlamentar në Shqipëri miratoi një rezolutë të përbashkët me përfaqësues të grupeve parlamentare në Kosovë që në thelb të saj kundërshton planin Ban ki Moon. Tashmë Kosova  ndodhet përballë një realiteti të ri  e tingëllon si sfidë për autoritet për të garantuar integritetin territorial të shtetit më të ri të Ballkanit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Isdor Rudho