Real Madrid u ndal sërish në kampionat, teksa nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 në transfertë ndaj Las Palmas. Vendasit kaluan të parët në avantazh me Moleiro në minutën e 5-të, ndërsa për madrilenët barazoi Vinicius në minutën e 69-të me penallti.

Pas ndeshjes, trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, deklaroi se nuk kishte përmirësim nga ndeshje e kaluar, ndërsa theksoi se skuadra nuk është e ekuilibruar.

“Nuk kam parë ndonjë përmirësim në krahasim me ndeshjen me Mallorca-n. Duhet të vuajmë pak për momentin, skuadra nuk është e ekuilibruar, nuk jemi të shpejtë në lëvizjen e topit, e kemi të vështirë ta rikuperojmë atë.

Mendoj se pjesa e parë ishte e keqe. Ne luftuam për të gjetur ekuilibrin. Nuk mund të kërkojmë justifikime, duhet të kërkojmë përmirësim të shpejtë. Unë marr përgjegjësinë.”, deklaroi ai.

Pas tre javëve të para, Real Madrid mban vendin e katërt në renditje me 5 pikë të grumbulluara. /tvklan.al