Moti i keq dhe reshje të shumta të dëborës, të cilat vazhdojnë me intensitet të lart për më tepër se 48 orësh në të gjithë vendin, kanë krijuar situata emergjente si në veri ashtu edhe në jug të Shqipërisë. Drejtoria e Emergjencave Civile raporton për vështirësi të mëdha në lëvizjen e automjeteve në shumë akse nacionale, për shkak të trashësisë së dëborës dhe shtresave të akullit të krijuara nga temperaturat nën 0.

Por pavarësisht vështirësive Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, në një intervistë për Televizionin Klan garanton se situata është nën kontroll dhe asnjë zonë qoftë kjo dhe më e thella malore nuk vuan nga mungesat ushqimore, ka shërbim shëndetësorë dhe furnizim normal të energjisë elektrike.

Bujar Nishani: “Pas urdhrit të kryeministrit, strukturat e Ministrisë së Brendshme, por dhe duke pasur dhe ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë të mjeteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ministrisë së Transporteve, të angazhimit të forcave të Xhenios të ushtrisë janë në koordinim të vazhdueshëm me të gjitha shtabet lokale të emergjencave nëpër të gjitha prefekturat të cilat nën drejtimin e prefektëve dhe kryetarëve të qarqeve janë jo vetëm në monitorim të situatës, por janë në një dinamikë të vazhdueshme. Pra për sa i takon situatës, lëvizshmëria mund të them që në të gjitha akset kombëtare është në dinamikë natyrisht me masa të rrepta të sigurisë të qarkullimit rrugorë të cilat monitorohen qoftë nga strukturat e policisë, qoftë nga strukturat e ushtrisë. Ka vështirësi natyrisht në lëvizje për sa i takon fshatrave të thella malore, por që situatë emergjente në kuptimin e furnizimeve me ushqime apo të furnizimit me energji elektrike apo të situatës tjetër shëndetësor të qytetarëve ka qenë mjaft radhë dhe ato të cilat janë përballuar me sukses”.

Parashikimet e metereologëve thonë se moti i keq dhe reshjet e dëborës priten të mbizotërojnë të paktën edhe për 3 ditët në vazhdim mbi vendin tonë. Megjithatë Ministria e Brendshme garanton se me masat e marra dhe mobilizimin në të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe mjeteve që kanë në dispozicion do të mund të përballon çdo lloj situate emergjente të krijuar.

Bujar Nishani: “Unë jam i bindur që ashtu siç është përballuar deri më tashi kjo situatë edhe në ditët që vijnë nëse do të vazhdojë përsëri e njëjta situatë e motit. Ne i kemi të gjitha kapacitet dhe mundësitë për ta përballuar çdo lloj situate dhe i garantoj të gjithë qytetarët pavarësisht zonave se ku mund të ndodhen dhe të jetojnë që do të kenë gjithmonë në çdo moment pranë tyre asistencën dhe komunikimin e të gjitha strukturave të shtetit”./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka

Operator: Enver Shehu