Përpara vizitës së kryeministres Giorgia Meloni në vendin tonë, “Reuters” thotë se Shqipëria po ecën përpara me marrëveshjen me shtetin fqinj për emigrantët.

Autoritetet në portin e Shëngjinit bënë të ditur gjatë fundjavës se qendra e përpunimit të të dhënave është gati. Punimet po ecin me ritme të shpejta edhe në ish-zonën ushtarake të Gjadrit për ndërtimin e kampit ku do të qëndrojnë emigrantët e kapur në det.

Qendrat që do të menaxhohen nga Italia mund të mbajnë maksimumi 3000 emigrantë të huaj.

Por si e presin ardhjen e emigrantëve vetë banorët e Shëngjinit?

“Edhe ne ishim refugjatë dikur. Unë isha në Greqi dhe grekët po kujdeseshin për ne me ushqime dhe gjithçka. Ata që do të mbërrijnë këtu janë njësoj si ne. Më vjen keq për ta. Megjithatë, shqiptarët nuk kanë para për t’u kujdesur për veten, e jo më për të tjerët.”

“Edhe ata kanë probleme. Ne i mirëpresim sepse edhe ne ishim refugjatë dikur. Më vjen keq për ta. Tani, i takon qeverisë të bëjë atë që është e drejtë. Për mua si individ, shumë mirë që vijnë këtu.”

Një pjesë e banorëve të cilët kanë emigruar vetë në shtetet fqinje për shkak të kushteve ekonomike pas rënies së regjimit komunist e mirëpresin vendimin e qeverisë.

“Nuk do të ketë probleme këtu përreth. Unë mendoj se kjo është një gjë humanitare për t’u bërë. Dikush tjetër na ka mirëpritur më parë kur ishim refugjatë dhe ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Qeveritë mund të mendojnë ndryshe, por mbi të gjitha njerëzit duhet të bëjnë gjëra të mira, kjo është një gjë humanitare”.

Italia do të paguajë për ndërtimin e qendrave, shpenzimet në lidhje me sigurinë dhe kujdesin mjekësor, me një kosto të vlerësuar nga 650 deri në 750 milionë euro gjatë 5 viteve të para.

Vlen të theksohet se vizita e kryeministres Meloni përkon me javën kulturore italiane në Shqipëri.

Klan News