Udhëtimi nga Tirana drejt Durrësit është kthyer në një ankth të vërtetë për shumicën e drejtuesve të automjeteve që kalojnë këtë aks.

Punimet për rikonstruksionin e autostradës kanë sjellë çrregullimin e trafikut në shumë segmente të saj.

Mungesa e policisë së qarkullimit rrugor dhe punonjësve të sinjalistikës në pjesët ku devijohet kalimi nga njëri krah në tjetrin ka shtuar ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Në mbikalimin e Shënavlashit, në kilometrin e 30 të autostradës trafiku është bllokuar gjatë paradites për më shumë se 30 minuta.

E njëjta situatë përsëritet thuajse çdo ditë edhe në segmente të tjera. Mbyllja e njërit krah të autostradës shpeshherë shoqërohet me kaos dhe vonesa në qarkullimin e automjeteve, kjo edhe për shkak të mungesës së rregullit në trafik.

Si firma që ka marrë përsipër rikonstruksionin e rrugës, ashtu dhe policia rrugore nuk janë kujdesur që t’u  vijnë në ndihmë qytetarëve.

Nisma e Ministrisë së Transporteve për të bërë rikonstruksionin e plotë të autostradës Tiranë-Durrës mesa duket në vend që të lehtësojë lëvizjen e automjeteve e ka vështirësuar në maksimum atë, madje duke shtuar ndjeshëm rrezikun e aksidenteve./tvklan.al