Ndryshon VKM për degët prioritare. Të gjithë studentët që do të zgjedhin një nga degët prioritare në 5 fushat e studimit, për të mbajtur mbështetjen e plotë financiare prej 40 mijë lekësh duhet që në vitet në vijim të kenë një mesatare të studimit mbi 8.

Të gjithë studentët e tjerë, të cilët në vitin e 2 dhe në vijim do të kenë një mesatare nën 8 do të marrin një mbështetje financiare më të ulët.

“Lidhet me mënyrën se si Ministria kërkon t’i vë theksin cilësisë së arsimit. Do të thotë që studenti që futet në vitin e parë në programet prioritare do të ketë mbështetje financiare bursë të plotë e barabartë me pagën minimale, për të vijuar me vitet e tjera. Janë futur disa kritere që janë të bëjnë me arritjen akademike të studentit, nëse studenti do të ketë mesatare mbi 8 do të marrë 100 % pagën minimale, nëse arritjet akademike arrijnë nga 6.5-8 do marrë 60 % të bursës dhe me mesatare deri 6.5 do marrë 30 % të bursës për të patur studentët cilësor për t’ju përgjigjur nevojave të tregut të punës. Kriteri 6.5 është kriter për t’u futur në institucionet e arsimit të lartë”, thotë Mirela Cami, Drejtoreshë e Përgjithshme në MAS.

Po ashtu në VKM për degët prioritare përcaktohet edhe ngritja e një komisioni ad hoc, i cili do të përcaktojë se sa do të jetë numri i studentëve përfitues në degët prioritare.

“Ky komision do të ketë si fokus apo si përgjegjësi kryesore përcaktimin e programeve prioritare dhe kuotave të financimit të programeve prioritare”.

Por të gjithë ata studentë të cilët janë në universitet dhe kanë zgjedhur degët prioritare një vit më parë do të vijojnë të marrin bursën e plotë.

“Për studentët që janë në proces dhe kanë hyrë apo kanë bërë regjistrimet në programet prioritare me VKM e shkuara do të mbajë bursën e plotë”.

Vitin që shkoi 210 studentë nga programet prioritare dhe 90 studentë ekselencë përfituan mbështetje financiare prej 40 mijë lekësh në muaj.

Tv Klan