U zhvillua ditën e sotme një ceremoni në Laç ku u hodhën themelet në apartamentet që po ndërtohen si pjesë e projektit të rindërtimit. Mbi 500 apartamente do të ndërtohen në këtë zonë dhe është financuar nga qeveria e Turqisë.

Kryeministri Edi Rama falenderoi Presidentin Erdogan për solidaritetin e treguar pas tërmetit të 26 Nëntorit dhe tha se ky projekt është dëshmi e miqësisë së fortë.

“Kujtoj se Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë qysh në momentet e para, por angazhuan menjëherë forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat”, tha Rama, i cili kujtoi ndër të tjera edhe momentin kur Erdogan shpalli gatishmërinë për ndërtimin e 50 apartamenteve.

Sa i përket projektit, Rama tha se do të ndihmojë zonën. Ai shtoi se projekti ka sistemuar përroin e vjetër që do t’i japë fund përmbytjeve.

“Ky nuk është thjesht një projekt me pallate, por është edhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, një projekt që vjen me parametra urbanë miqësorë me territorin dhe një projekt merr në konsideratë elementë tradicionalë të përkthyer në arkitekturë bashkëkohore. Dua ta theksoj, për këtë qytet, për këtë komunitet, besoj se përsëritja nuk është e mërzitshme që duke ndërtuar këtë lagje të re, ne arritëm të sistemojmë më në fund përroin e vjetër, përroin e vjetër që ishte një gangrenë në këtë qytet dhe që me rrëmbimin e tij të herëpashershëm përmbyste në mënyrë sistematike qytetin, dëmtonte, dëmtonte tregtarët e vegjël, banorët dhe e bënte të pajetueshëm këtë qytet të vogël. E vërteta është që ka qenë këmbëngulja epike e kryetares së bashkisë, pastaj edhe kërkesa jonë dhe gatishmëria e ministrit dhe e inxhinierëve që kemi bashkëpunuar që pavarësisht se projekti kishte nisur pa e konsideruar sistemimin e përroit, ky sistem të integrohej sëbashku me kantierin e projektit. Ndërtimi i kësaj lagjeje të re do të sjellë edhe një garanci të madhe për mospërmbytjen më asnjëherë të këtij qyteti. Diçka që mund të duket jo fort e rëndësishme kur e dëgjon, por që është jetike për këtë komunitet“, tha Rama.

Kryeministri kujtoi edhe momentet pas tërmetit që ra në Izmir, ku u shpreh se i kanë dërguar mesazhe se kjo do të kishte pasoja për rindërtimin në Shqipëri. Por kreu i qeverisë u përgjigj me një shprehje të Mehmet Kemal Ataturk, që thotë se të gjithë kombet duhet të ndërveprojnë me njëra tjetrën pasi janë pjesë e një organizmi.

“Po e mbyll me një anektodë: Kur tërmeti goditi Turqinë kam pasur disa njerëz që më shkruanin se kjo do të kishte pasoja për projektin dhe kjo do të bënte që Turqia mos të kishte më vëmendjen tek ky projekt pasi kishte fatkeqësinë e vet dhe unë i kam thënë që kjo nuk ndodh asnjëherë sepse në raport me fatkeqësinë, në raport me nevojën, në raport me marrëdhëniet mes popujve tonë funksionon siç thotë Mehmet Kemal Ataturku i cili shprehet se bota është një organizëm, pjesë e së cilës janë të gjitha kombet, dhe të gjitha kombet duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin, kur ky organizëm ka nevojë”, përfundoi kreu i qeverisë./tvklan.al