Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ferhat Çeka është njëri nga dëshmitarët dhe viktimat e shumta të ksenofobisë e të dhunës shtetërore greke ndaj eigrantëve shqiptarë. Por 69-vjeçari është njëri nga viktimat më fatlume të kësaj dhune kriminale. Edhe pse është qëlluar me dashje dhe shumë afër nga ushtarët grekë, ai vazhdon të jetojë megjithëse i gjymtuar. Por Ferhat Çeka është mbase i pari shqiptar që i ndihmuar edhe nga Amnesty International e Komiteti Grek dhe Shqiptar i Helsinkit, ka hedhur në gjyq shtetin grek dhe procesi duket se deri tani është në anën e tij.

Ferhati për të disatën herë tregon tragjedinë e tij. Ka kaluar kufirin në fshatin Tresenisht të Bilishtit, në 8 Mars të vitit 2002 dhe pa bërë 300 metra rrugë është ndalur nga ushtarët grekë.

Ferhat Çeka: “Më thanë, shtrihu barkas, përmbys edhe shtrihi durët përpara. U shtrina, ju binda plotësisht, nuk i bëra asnjë llaf, vetëm i thashë, ju lutem se jam i vjetër mos më keqtrajtoni, kaq i thashë, jam edhe i sëmurë nuk jam në gjendje të mirë fizike. Më thirrën me forcë aty, ti mos fol, vetëm përgjigju kur të pysim ne edhe unë nuk i fola më, asnjë fjalë tjetër nuk i kam fol, u shtrina përmbys me durët përpara, ai ushtari më erdhi nga ana e majtë dhe hypi mbi durët, një këmbë në këtë dorë dhe një këmbë në këtë dorë edhe filloi të gjujë me atë qytën e automatikut që kishte në shpatulla në duro e kshu. Pastaj u ndanë të dy, njëri doli nga ana e majtë, njëri doli nga ana e djathtë edhe fillunë të më godasin me shqelma në një kohë, nja 10-15 herë. Se si kam shpëtu, se si e kam duru këtë, nuk e di as vetë dmth. Më thanë çohu, u çova me zor, pas këtyre goditjeve të mëdhaja, që pata edhe në kurriz me automatik edhe në hije me shqelma, u ngrita me vështirësi dhe thashë se mbaroi kjo punë, kaq ishte domethënë”.

Por kjo ishte vetëm seanca e parë e torturës. Ushtarët, pasi janë konsultuar me njëri-tjetrin, kanë vendosur ta ekzekutojnë plakun.  

 Ferhat Çeka: “Më vuri pistoletën këtu ku më ka qëllu, e vuri me kujdes domethënë, e mati vendin ku duhet ta vinte dhe megjithatë nuk më shkoi në mend se do më qëllonte dhemb tha ec përpara, unë ngrejta këmbën e djathtë për të ec përpara, plumbi më përshkoi nga këtu-këtu, doli tej për tej. Nuk di sa sekonda, 3-4 sekonda munda të qëndrojë në këmbë edhe rashë nga krahu i djathtë. Kur rashë në tokë i thashë, bravo i thashë, tashti më jep edhe një në ballë. Nuk më foli, por pas pak erdhi aty dhe më tha, ne nuk jemi policë tha, jemi ushtarë, kështu bënë. Më lanë shumë kohë atu, me siguri që prisnin që të vdisja, mirëpo meqenëse u sigurun që nuk po vdisja, pas 3 orësh ose 4 orësh kanë njoftu edhe erdhi ambulanca”.

Në spital e kanë mbajtur 12 ditë dhe 69-vjeçari pavarësisht pasojave dhe dhunës, nuk nguron të vlerësojë trajtimin njerëzor që i kanë bërë bluzat e bardha.

Ferhat Çeka: “Më mjekun në mënyrë të shkëlqyer, nuk kam çfarë me thanë, në dhomë të veçantë më kanë lanë gjithë kohën, nuk kam pse të gënjejë për gjana që janë të vërteta dhe më kanë bërë mjekim shumë të mirë, saqë në krye të 13 ditëve, datë 9 jam shtruar, më datë 21, në krye të 12 ditëve unë kam dalë nga spitali”.

Gjyqi ndaj ushtarëve grekë ka nisur në qershor të vitit 2003 në gjykatën ushtarake të Selanikut. Ndërsa sot është seanca e radhës, ku pritet të dëshmojë edhe Ferhati, por çuditërisht, ushtarët grekë akuzohen për plagosje, kur krimi që ata kanë kryer është ushtrim torture dhe vrasje në tentativë. Paralelisht me gjyqin ushtarak penal zhvillohet dhe gjyqi civil, në të cilin Ferhati pret dëmshpërblim nga shteti grek.

Vasilika Hysi, e cila së bashku me një jurist të Komitetit të Helsinkit, do të shoqërojë 69-vjeçarin në Selanik, apelon të gjithë emigrantëve të cilëve u shkelen të drejtat, të denoncojnë dhunën në organizatën e të drejtave të njeriut, ose në institucionet shtetërore shqiptare apo greke. Por Hysi nuk nguron të tërheq vëmendjen e autoriteteve greke, sidomos përsa i përket sistemit të vizave ndaj shqiptarëve.

Vasilika Hysi: “Është urgjente që të gjitha autoritetet greke, qoftë në shtetin grek, por edhe në Shqipëri, të jenë më të vëmendshëm ndaj emigrantëve shqiptarë, që në momentin kur atyre u ofrohet shërbimi i lëshimit të vizave, në pikat e kontroll kalimit dhe në vendet ku punojnë shqiptarët./tvklan.al