Tregtohet me 245 l/litër, shtrenjtohet edhe benzina me 6 Lekë

Bordi i Transparencës ka shtrenjtuar çmimet e karburanteve në vend. Nafta prej të premtes tregtohet me 22 Lekë më shumë, pra shkon në 245 Lekë/litri, ndërsa benzina është shtrenjtuar me 6 Lekë për litër. 

Këta ishin drejtuesit e fundit që nxituan të furnizonin automjetet e tyre përpara orës 18:00 të së premtes kur çmimet në tabelë ndryshuan sërish. Madje duke krijuar edhe radhë në pikat e shpërndarjes me pakicë.

Bordi i Transparencës kishte njoftuar pak orë më herët për një shtrenjtim të ndjeshëm të çmimit të naftës duke e rritur atë me 22 Lekë për litër. Nga 223 që ishte më parë, nafta tregtohet tashmë me 245 Lekë/litri.

Po ashtu ka pësuar rritje me 6 Lekë edhe çmimi i benzinës, pasi nga 198 Lekë për litër, tregtohet tashmë me 204 Lekë/litri. I pandryshuar mbeti vetëm çmimi i gazit të lëngshëm për automjetet i cili do të vijojë të tregtohet me 78 Lekë për litër. Në këtë mënyrë nafta po i afrohet çmimit rekord të Marsit kur u tregtua me 260 Lekë për litër.

Ministria e Financave sqaron se kjo rritje ka ardhur për shkak të rritjes së çmimeve në bursën Platz të Mesdheut. Sipas saj, brenda javës nafta shkoi në 1162 Dollarë për ton me një rritje prej 183 Dollarësh. Edhe benzina është rritur me 66 Dollarë për ton në këtë bursë.

Vendimet që merr bordi dhe ndryshimi i çmimeve të shitjes lidhet vetëm me ndryshimet  në bursën Plats të Mesdheut për gazoilin dhe benzinës, pra jo të bursës së naftës bruto, si dhe në lëvizjen e kursit të dollarit. Gjithë elementët e tjerë që formojnë çmimin janë fikse dhe për këto bordi nuk merr vendim”.

Ditët e fundit ka pasur një shtrenjtim të çmimit të karburanteve në të gjitha bursat ndërkombëtare. Kjo për shkak të vendimit të OPEC+ për të ulur prodhimin me 2 milionë fuçi në ditë prej muajit Nëntor. Kjo shkaktoi rritje të naftës edhe në bursën e Teksasit duke bërë që këtë të premte çmimi të shkojë mbi 92 Dollarë për fuçi ndërsa në bursën e Londrës me mbi 98 Dollarë për fuçi.  

Tv Klan