Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Forcimi i dollarit ka shkaktuar rritje të çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare. Edhe tregjet e naftës së importit në vend, kanë reflektuar një rritje të lehtë të çmimit prej 40 lekësh. Sipas importuesve, çmimi i naftës do të vijojë të mbetet në kufirin e 72-75 lekë edhe për javët në vazhdim.

Gjatë Korrikut është rritur qarkullimi i kesh, jashtë kanaleve bankare. Banka e Shqipërisë vëren, se 1.6 miliard lekë është vlera e parave që kanë qarkulluar jashtë bankave vetëm për Korrikun, duke kapërcyer kështu vlerën prej 120 miliardë në total. Një ndër sfidat e Bankës Qendrore mbetet lufta ndaj parasë informale. Banka e Shqipërisë i ka kërkuar qeverisë të kalojë në sistemet bankare të gjitha pagesat dhe arkëtimet e ndërmarrjeve shtetërore, si KESH, ujësjellës dhe telefonia fikse, nismë kjo e cila ende nuk është vënë në zbatim.

Shtatori do të shënojë hyrjen në fuqi të marrëveshjes së tregtisë së lirë me Bullgarinë. Kjo është marrëveshja e dytë e tregtisë së lirë, pas asaj me Maqedoninë. Tarifat doganore pritet të bëhen zero pas afro pesë vjetësh. Autoritetet kanë treguar kujdes për reduktimin e tarifave doganore për produktet bujqësore. Bullgaria sipas të dhënave të INSTAT, importon një volum prej 2.7 milion lekësh në muaj, ndërsa eksportet shqiptare janë të papërfillshme./tvklan.al