#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare.

“Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Berisha i bindur për fitoren në zgjedhje: Jam njeriu i të pamundurave!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është i bindur për fitoren e tij në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Pavarësisht fitores së PS në tre mandate, ai e quan veten “njeriu i të pamundurave”.


”Sali Berisha është njeriu i të pamundurave! Nëse ka një njeri i të pamundurave, më vjen keq që e them, por jam unë!”

Thekson se nuk i ka zhgënjyer kurrë votuesit.

“Kam bërë ato që kam premtuar dhe ata kanë bindjen se vitet janë një gjë, po bashkëkohësia e Sali Berishës është një gjë tjetër.”

A do ketë rol drejtues në PD vajza e tij? Berisha e thotë në “Opinion”

Argita Malltezi ka qenë mjaft aktive në media e politikë vitin e fundit, sidomos pas vënies së masës së sigurisë ndaj kryedemokratit Sali Berisha dhe bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezi.


Është aluduar shpesh se ajo mund të merrte drejtimin e Partisë Demokratike, por pavarësisht se i izoluar në shtëpi, Berisha ka vijuar me udhëheqjen e kësaj partie.

I pyetur sonte në “Opinion” se a do të ketë një rol drejtues në PD vajza e tij, Berisha u përgjigj:

Kjo është çështje krejtësisht personale e Argita Berishës, jo Sali Berishës.”

“Non grata” në SHBA, Berisha: Besoj se jam i preferuari i shqiptarëve…

Lideri historik i demokratëve Sali Berisha është shpallur “non grata” në Shtetet e Bashkuara më 19 Maj 2021. Lajm që asokohe e bëri të ditur Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, përmes një postimi në Twitter.

Ai u pyet këtë Enjte në “Opinion” se a e dëmton kjo gjë imazhin e Partisë Demokratike, sidomos në garën e saj elektorale.


-Ju jeni penalizuar nga Administrata amerikane. A e dëmton kjo në imazhin e përgjithshëm e sidomos të zgjedhësve PD-në?

Sali BerishaBesoj fort se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pavarësisht nga aktet mafioze të kryera ndaj Sali Berishës, përsëri këto nuk janë dominuese. Është shteti ligjor, është ndarja e pushteteve. Është liria, dinjiteti… Dhe unë kam shumë besim që PD me këto vlera që ndan me miqtë e saj, Shtetet e Bashkuara dhe kudo do të shkojë drejt fitores. Nuk mund të pranohen akte të cilat i shërbejnë sistemit të krimit dhe korrupsionit. Konsolidimit të tij…Nuk mund të pranohet! Dhe të jeni të sigurt se ne do realizojmë, do i tregojmë botës shumë shpejt se ç’përfaqëson organizata kriminale, “SKAP”-i i partisë.

Kryedemokrati theksoi se është “i preferuari i shqiptarëve”.

-A besoni ju se Rama është ende i preferuari i ndërkombëtarëve?

Sali Berisha: Unë besoj se Sali Berisha është i preferuari i shqiptarëve. Për ndërkombëtarët, të zgjedhin vetë, sepse unë nuk kam çfarë të them. Nuk mund të flas në emër të tyre.

Zgjedhjet 2025, PD koalicion me Metën? Si përgjigjet Berisha

Teksa raportet me kreun e PL Ilir Meta i cilësoi mjaft të mira, kryedemokrati Sali Berisha konfirmoi se në zgjedhjet e ardhshme opozita do garojë në koalicion.


-Çfarë raporti keni me zotin Ilir Meta dhe cili do jetë bashkëpunimi juaj në zgjedhje?

Sali Berisha: Me zotin Meta unë kam raporte shumë të mira. Bashkëpunimi në zgjedhje do jetë i ngushtë, si mes dy aleatëve, një koalicioni që ecën drejt fitores.

Referuar listës së PD në zgjedhje, ai theksoi se “nuk ka asnjë të paragjykuar nga ata që vendosin të luftojnë kundër Edi Ramës.”

Kujtojmë se edhe në zgjedhjet lokale, PD e PL garuan bashkë ndaj rivalëve politikë me koalicionin “Bashkë Fitojmë”.

Lista e PD për zgjedhjet, Berisha paralajmëron hyrje të reja

Pavarësisht se më herët ka deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se opozita po përgatitet për një betejë pa kthim drejt qeverisë teknike.


“Po bëhen të gjitha përgatitjet për një betejë pa kthim drejt qeverisë teknike. I garantoj shqiptarët se me Edi Ramën, kurrë zgjedhje të lira nuk mund të ketë! Dhe ndaj ne po përgatitemi për të nisur një betejë të pandalshme gjer në krijimin e qeverisë teknike. Qeveria teknike është kusht për një lloj barazie më të madhe në fushatën elektorale dhe në zgjedhje. Përndryshe zgjedhjet janë të ekzekutuara, të përfunduara pa u zhvilluar.”


Ai theksoi këtë të Enjte në “Opinion” se në listën e PD-së për deputetë do të ketë emra të rinj e të shquar.

Ndodhet në “arrest shtëpie”, Berisha tregon si do e drejtojë fushatën elektorale

Tanimë që zgjedhjet po afrojnë, secila forcë politike nis me fushatën e saj ku padyshim rol kyç ka drejtuesi. Në rastin e kreut të PD, gjërat komplikohen pasi ai ndodhet në masën e “arrestit në shtëpi” prej më shumë se 8 muajsh. Sonte për “Opinion”, Sali Berisha thotë se Partia Demokratike do ketë një grup qendror i cili do komunikojë vazhdimisht me të përgjatë fushatës elektorale.


-Zoti Berisha, ju jeni deputet, por mbi të gjitha kryetar i PD. Ju duhet të drejtoni fushatën dhe për këtë duhet të lëvizni i lirë në të gjithë territorin. Si do realizohet kjo gjë?

Sali Berisha: E gjithë beteja që është bërë gjer sot është bërë pikërisht që të largojnë Sali Berishën si kryetar i PD. Është shumë e njohur, nga viti 2021 deri sot. Mirëpo kjo jo vetëm e ktheu Sali Berishën në krye të PD, por e saldoi në krye të PD.

-Po nëse Gjykata nuk e pranon, a do ketë një drejtues tjetër fushate të deleguar nga ju?

Sali Berisha: Fushata do drejtohet, sigurisht që janë 11 drejtues për çdo qark, lider të çdo qarku. Do ketë një grup qendror në komunikim konstant e të vazhdueshëm më Sali Berishën. Nuk ka mekanizëm, janë të pashpresë ata që mendojnë se mund të uzurpojnë apo t’i caktojnë PD-së kryetarin. Është çështje sovraniteti!

“Modernissima”, habit Berisha: Në rast se PD fiton zgjedhjet, kryeministri do jetë…

Në rast se PD-ja mund PS-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kreu i saj Sali Berisha thotë se fitorja do pasohet me një referendum. Sonte në “Opinion”, Berisha tha se kryeministri i ardhshëm do zgjidhet në këtë formë, duke pyetur qytetarët.


-Nëse PD fiton, ju do jeni kryeministër apo do delegoni dikë tjetër?

Sali BerishaUnë kam sqaruar dhe përsëri insistoj, fitorja e PD dhe koalicionit do shoqërohet me një referendum për kryeministrin e ardhshëm, pavarësisht se Sali Berisha është arkitekti i fitores… Përsëri ai gjykon të pyeten qytetarët, fton cilindo që dëshiron ta sfidojë Sali Berishën me votën e qytetarëve për kryeministër. Një risi moderne, modernissima. Kjo në funksionimin e një opozite.

Fushatë pa gra! Berisha: Është gjykuar të përballen burrat me këtë realitet banditesk…

Kryedemokrati Sali Berisha u pyet sonte në “Opinion” se pse në këtë fushatë elektorale të PD-së mungojnë gratë. Ai tha se qeveria aktuale ka krijuar një ‘realitet banditesk’ me të cilin është gjykuar që më mirë të përballen burrat.

Por sipas Berishës, kjo përzgjedhje është e përkohshme. Ai u premtoi vajzave dhe grave që do kenë vendin e tyre në Parlament e qeverinë e ardhshme në rast se opozita fiton zgjedhjet e 2025-ës.


“Së pari, çështja e parë është një defekt serioz i diktuar për fat të keq nga një realitet dramatik shqiptar. Realitet lokal e qendor në të cilin bandat bëjnë ligjin. Bandat vendosin me vrasësit serial, me urdhër të Edi Ramës kudo. Në këtë kontekst, ndoshta llogaritë nuk janë mirë, por është gjykuar të jenë burra të cilët të përballen me realitetin. Garantoj gratë dhe vajzat demokrate dhe të mbarë shoqërisë tonë, se ato do kenë gjithë vendin që meritojnë në parlamentin e ardhshëm shqiptar dhe në qeverinë e ardhshme të PD. Rezultati që diktohet nga bandat, është rezultat banditesk, që nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.”

Më tej, ai tha se përfaqësuesit e PD nëpër qarqe as nuk krahasohen me ata të mazhorancës.

Askush nuk mund të më thotë mua se në vitin 2021, 2023 nuk u përdorën bandat. Bandat janë hanxharët e krimit me të cilët Edi Rama ekzekuton fletët e votimit, para se të futen në kuti. Me rivalët e tyre në krahun tjetër janë të pakrahasueshëm. A mund të krahasohet Belind Këlliçi me Erion inceneratorin?! Me Erion ‘5D’-në? Me Erion ‘pylli 1 milion’? S’krahasohen kurrë dhe shqiptarët poi  kuptojnë mirë gjërat. A mund të krahasohet Gaz Bardhi me Lubi Ballukun që ndërton rrugë me çmime 10 herë më të shtrenjta se Kroacia?! A mund të krahasohet Ervin Salianji me Maznikun e mafies, që ka firmosur dosjen e Ndraghettës, që është delinkuent dhe një nga firmëtarët te 5D. A mund të krahasohet Gjekmarkaj, intelektual i shquar me Ulusi Manjën e çantave Loui Vitton, e di vetë ai…Si mund të krahasohet Flamur Hoxha me Pandeli Majkon që ka dosjen në të cilën flitet dhe për vrasje elektorale, e që Edi Rama ia tund mbi kokë Pandeli Majkos?! Pra, këta janë përfaqësues të opozitës, qytetarëve shqiptarë, kurse ata të Ramës janë përfaqësues të tij, të krimit elektoral, të korrupsionit, të krimit ordiner”, tha Berisha.

Sali Berisha: Në 54 vite punë, kam në bankë një kursim rreth 100 mijë Euro

Në 54 vite punë, kam në bankë një kursim rreth 100 mijë Euro”. Kështu ka deklaruar sonte në “Opinion” kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Ai theksoi se të gjitha akuzat ndaj tij për pasurim nëpërmjet postit janë mashtrime, duke theksuar se edhe apartamentin ku jeton e ka blerë bashkë me të shoqen.


“Këtu më lehtëson shumë ai që po bëjnë skapistët e partisë, ai që quhet vetting financiar. Ju deklaroj mbarë shqiptarëve se Sali Berisha në 54 vite punë, edhe në diktaturë për atë kohë kam pasur rrogë të mirë… Ka arritur bashkë me bashkëshorten e tij mjeke, të blejë gjithsej 40 m2 sipërfaqe ndërtimi nga 90 që kisha te apartamenti i vjetër, sot e kam 120 e ca. Disponon, në bankë një kursim rreth 100 mijë Euro! Kjo është e gjithë pasuria e Sali Berishës! Unë për të blerë një apartament të plotë, duhet të merrja kredi. Kurse zotëria e tij (referuar Altin Dumanit) ka 3 apartamente të regjistruara. Kraja me vila e të tjerë, këta janë persona që duan të mbulojnë vjedhjen e tyre, larjen e parave dhe akuzojnë Berishën për korrupsion.”

Berisha: Gjer ditën e fundit të jetës time, do mbroj sovranitetin e vendit

Në mbyllje të intervistës së tij për “Opinion”, kryetari i PD-së, Sali Berisha tha se beson te e vërteta, por jo tek drejtësia aktuale. Ai u shpreh se njësoj si 34 vite më parë, edhe tani do luftojë për rikthimin e sovranitetit të vendit.


“Besimi im është tek e vërteta, beteja ime është për të vërtetën. Dinjiteti, më vonë sovraniteti i vendit. 34 vite më parë kur unë fillova t’i kundërvihem regjimit, drejtësia ishte e tëra e kontrolluar nga diktatura. Por unë do mbroja të vërtetën me gjithë pasojat që do kisha. Sot, drejtësia është 100% e kontrolluar, sot faktikisht nuk ekziston drejtësi. Ekziston një organizatë kriminale që quhet “skap” dhe me disa gjykatës të tipit Irena Gjoka, jo të gjithë sigurisht…

Përsëri kur nisa betejën, ishte betejë për dinjitetin. Kur kërkuan të dal nga Parlamenti, kur menduan se mund t’i caktojnë opozitës shqiptare kryetarin, atëherë u thashë jo, kjo s’mund të ndodhë! Opozita shtyllëmbajtëse e sovranitetit të një kombi dhe absolutisht s’kam asnjë qëndrim tjetër përveçse mbrojtjen gjer ditën e fundit të jetës time të sovranitetit të vendit, të vërtetave”, tha Berisha.

Procesi i privatizimit të kompleksit “Partizani”, Berisha: U iniciua nga 3 ministra socialistë

Kryetari i PD, Sali Berisha ka parashtruar argumentin kryesor kundër akuzave që SPAK ka ngritur ndaj tij, për çështjen e kompleksit “Partizani”. Sonte për “Opinion”, ai theksoi se procesi i privatizimit të ish-klubit sportiv është iniciuar nga 3 ish-ministra socialistë. Më tej sipas tij, ka vepruar edhe bashkia e Tiranës e cila në atë kohë drejtohej nga Edi Rama.


-Cili është argumenti kryesor me të cilin hidhni poshtë akuzat?

Sali Berisha: Unë mendoj se kjo është vetëm njëra shtyllë e piramidës së mashtrimit. Prokuroria private e Edi Ramës pretendon se Berisha dhe qeveria e tij nisi në vitin 2005 privatizimin e kompleksit “Partizani” duke fshehur emrat e atyre që e nisën këtë proces. Të cilët janë 3 ministra socialistë, Anastas Angjeli, Blendi Klosi, Pandeli Majko. Por këtu kam vetëm një sqarim, fillimi i procesit të privatizimit shënon në përputhje me ligjin e kthimit/kompensimit të pronave, kthimin automatik të pronës te i ish-pronësuari. Ky ligj në nenin 7, i pronave që nuk kthehen, thotë pasi rreshton të gjithë pronat që nuk kthehen, në pikën 2 thotë, në rast se pronat përkatëse propozohen për tjetërsim, ato i kalojnë të shpronësuarit. Kështu që, 5 familjet tiranase që në momentin që qeveria Nano propozoi e filloi këtë proces, kishin të drejtën ligjore të patjetërsueshme të merrnin tokën që u takonte, të cilën ua kishin njohur institucionet dhe ua kishin kthyer me dokumente, qoftë të PD e PS.

Shtylla e tretë madhore piramidës së mashtrimit është se sipas Ramës e prokurorëve të tij, Sali Berisha ndryshoi destinacionin nga terren sportiv në ndërtim për të pasuruar dhëndrin e tij. Një mashtrim i paskrupullt. Destinacionin e klubit e ndryshoi Edi Rama më datë 5 Maj 2006. Me firmat e 12 drejtorëve të tij. Më datën 22 Qershor, u firmos ndryshimi i destinacionit. Kujdes, pa asnjë kërkesë nga pronarët, pa asnjë miratim nga institucionet. Dhe pretendon se firma e Sali Berishës 6 muaj më vonë, në Nëntor, ishte ndryshim i destinacionit të klubit. Jo! Pas sherrit që patëm me bashkinë e Tiranës për hyrjen e “Zogut të Zi”, veprim që e kryem mbi bazën e një akti normativ, Kongresi i Autoriteteve Lokale e Rajonale ndërhyri në mënyrë të fuqishme dhe e denoncoi qeverinë shqiptare se ka shkelur Kushtetutën dhe Kartën Europiane të Autonomisë Lokale. Në këtë kontekst, edhe dekreti që kisha, s’kishte më vlerë, unë s’kisha asnjë alternativë përveç firmës për ndryshimin e destinacionit përkatës. Janë ndryshuar atë vit 11 terrene sportive dhe unë nuk kam refuzuar sepse Kushtetuta këtë të drejtë ja njeh bashkisë së Tiranës.

Shkruhet se në vitin 2007, 2008 Fatmir Bektashi firmosi me pronarët se ai do realizonte ndryshimin e destinacionit që kishte mbetur pa ndryshuar, dhe kjo thonë skapistët, u realizua me Berishën në vitin 2013. Në një kohë që Rama kishte dhënë lejen, kishte fillu ndërtimi aty. E vërteta është se Rama në 2008-ën me studion zviceriane “Urba Plan” kishte ndryshuar destinacionin, e kishte shndërruar në zonë ndërtimesh me intensitet të lartë dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte i prerë, jo vetëm që s’ndërhyja dot, por s’miratoja ligje të tjera që kufizonin kompetencën e bashkive. Firma ime në vitin 2013 nuk ishte në mënyrë të veçantë për zonën, por për planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës.

Pretendohet se Berisha ka ndryshuar ligje e vendime që të favorizojë dhëndrin e tij. Berisha nuk ka ndryshuar asnjë ligj, asnjë vendim për individë apo grup të caktuar. Ka bërë vendime në interes të përgjithshëm të pronarëve, asnjë specifik.

(Lexon dosjen) Provat e administruara përgjatë gjykimit…Pra, Altin Dumani, Kraja e Millonai shpallin veten gjykatës…

/tvklan.al