Lajme Arkiva 2003

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk ka përjashtuar Partinë e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut si aleatë për zgjedhjet vendore të tetorit. Bashkia e Himarës shikohet si një pikë bashkëpunimi ndërmjet Partisë Demokratike dhe Partisë së Bashkimit të Drejtave të Njeriut.

Pas prishjes së negociatave me Partinë Socialiste, duket se PBDNJ shikon si aleate të mundshme partinë demokratike.

Sali Berisha: Nuk jemi ne ata që shikojnë Himarën si domenin e çifliqeve, vilave dhe pasurimit, ne jemi të vendosur të bëjmë aleanca lokale dhe kombëtare me të gjitha partitë e spektrit të djathtë duke përfshirë këtu edhe partinë e Bashkimit të Drejtave të Njeriut. Një aleate e hershme e jona.

Ndër të tjera Berisha ka reaguar ndaj deklaratës së reformatorëve të cilët janë shprehur se  nuk kanë mbështetjen e Partisë Demokratike për mocion debati në një seancë të jashtëzakonshme ndaj qeverisë Nano.

Sali Berisha: Në qoftë se Partia Demokrate provon se i ka plotësuar 71 vota ne jemi të gatshëm ti firmosim 1 për 1 partisë demokrate dhe cilës do tjetër votën kundër Fatos Nanos. Në rast të kundërt nuk është e nevojshme të ringjallim një kryeministër që ka marrë fund.

Për sa i përket koalicionit “Bashkimi për Fitore”, Berisha  pranon se rrethi është ngushtuar, por sipas tij kjo nuk ndikon aspak për opozitën në zgjedhjet vendore pasi ka përzgjedhur kandidatët më të mirë që sjellin fitore./tvklan.al