Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i PD Sali Berisha ka marrë pjesë në një aktiv të kësaj partie në Fier, ku ka paraqitur edhe kandidatin demokrat për kryetar bashkie Viktor Gjinin. Kardiologu fierak, dikur student i Berishës është cilësuar nga lideri demokrat si përzgjedhja më e shkëlqyer për garën e 12 Tetorit në Fier. Berisha është shprehur edhe për ngjarjet e fundit të krimit dhe ekzekutimin e biznesmenit fierak Arben Pojani.

Sali Berisha:- “Mbrëmë në Tiranë u ekzekutua një biznesmen fierak. Deklaruan sot, se ishte tregtar i madh mishi. Ju garantojë unë ju, nuk e di akoma dhe nuk dua të prononcohem, por mishin e lëvizin klanet qeveritare dhe i kanë magazinat doganore këtu në Fier. Do hetojmë, do ta bëjmë publike atë kur të mbledhim të gjithë informacionin e duhur. Po unë dua të ngushëllojë komunitetin e biznesit, për serialin e fundit, vrasjen e biznesmenit të fundit. Kush do t’u përgjigjet këtyre? Do i përgjigjemi ne qytetarët me votën tonë, ne duhet të ndahemi definitivisht nga krimi i organizuar shtetëror”.

Në fjalën e tij Berisha u premtoi biznesmenëve përgjysmimin e taksave. Ndërkohë ai nuk harroi të përmend edhe korrupsionin në gjykata dhe prokurori. Çfarë mund të pritet nga prokurorët që flenë mbi dosjet e krimit.

Sali Berisha:- “Më thoni ju, si ka mundësi, që gjykatat tona nxjerrin të pafajshëm kriminelë? Më thoni ju, si ka mundësi, që prokurorët flenë mbi dosje krimi dhe nuk i lëvizin ato”.

Pas Berishës në aktiv, foli edhe kandidati për kryetar bashkie, Viktor Gjini./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini