Lajme Arkiva 2003

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zhvilloi dje dy takime elektorale në Elbasan për të mbështetur kandidatin për kryetar bashkie në këtë qytet Ardian Turku.

Fillimisht lideri Demokrat ishte në lagjen Skënderbej, e njohur në Elbasan si bastioni i demokratëve. Kjo lagje bën pjesë në zonën elektorale të deputetes socialiste Valentina Leskaj, ndaj edhe Berisha i drejtoi siluret e kritikave edhe në drejtim të saj, duke i përmendur premtimet e parealizuara.

Sali Berisha: Deputetja që vodhi mandatin tuaj u zotua për një shkollë me 6000 vende, shtojani këtu shoqen që me ndihmat humanitare të vëllezërve kosovarë, ndërtoi pallatet e saj. Ku janë 6000 vende?

Më pas kryetari demokrat zhvilloi një takim me intelektualët e qytetit të Elbasanit në kinema “Millenium”. Në qendër të kritikave të Berishës ka qenë korrupsioni qeveritar që e ka varfëruar në ekstrem popullin. Kryeministri Nano e ka cilësuar gjithmonë si padrino të Shqipërisë, strumbullarin nga vinin të gjitha të këqijat e vendit.

Sali Berisha: Këta përmendin kilometra rrugë etj. Ja u them me përgjegjësi të plotë dhe totale se asnjë kilometër rrugë nuk është ndërtuar me fonde të tjera përveç fondeve që ju akorduan qeverisë së Partisë Demokratike. Absolutisht asnjë kilometër./tvklan.al