Një raport ende konfidencial me emra të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë fshehur pasuritë private gjatë deklarimeve, si dhe ata që i kanë transferuar ato në emra të tjerë pritet t’i vihet mbi tryezë kreut të Inspektoratit të Lartë të Deklarimeve, kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe Ministrit të Drejtësisë.

Sami Neza, drejtori i Qendrës për Transparencë dhe Informim Publik, tregon për Klan mënyrën e investigimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në shkallë vendi.

Sami Neza: “Prokurorët deklarohen pak më të pasur sesa gjyqtarët, por kanë biznese private, të cilat deri diku i kanë legale, ndërsa gjykatësit janë si të thuash zyrtarë të cilët shpenzojnë më tepër. Rasti i fshehjes së pasurisë konsiderohet në 3%. Transferim pasurie kemi 7% të rasteve të investiguara. Mund të them se momenti më interesant përgjatë projektit ka qenë investigimi si të thuash ose thithja e të dhënave informale për rreth udhëtimeve të zyrtarëve të lartë të gjykatave dhe prokurorisë, udhëtime jashtë shtetit. Ne e kemi marrë këtë, e kemi shënuar si një indikator, i cili deri diku mund të…Në total nuk është se të dhënat janë, të mbajnë në suspancë, por rast pas rasti mund të gjesh raste vërtet të jashtëzakonshme, të çuditshme ku shpenzimet e ndonjë gjykatësi apo ndonjë prokurori janë tej mase mbi të ardhurat e tij vjetore. Mund të ketë ndonjë zyrtar gjykate, i cili ka udhëtuar pothuajse mesatarisht dy vitet e fundit deri në një herë në dhjetë ditë jashtë shtetit.”

Adriatik Llalla: “Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive i ka paraprirë këtyre rezultateve me formatin e ri të deklarimit të pasurisë, të miratuar së fundmi. Parashikohet detyrimi ligjor që dhe fëmijët madhorë jashtë certifikatës familjare të të gjithë zyrtarëve kanë detyrimin për deklarim. Po kështu me të dhënat e reja që duhet të plotësojë zyrtari në deklaratë në modelin e ri të deklaratës, do të merren të dhëna më të detajuara lidhur me personat e lidhur me zyrtarët, siç janë prindërit, bashkëshortit apo të bashkëshortes apo persona të tjerë të lidhur sipas përcaktimeve ligjore”.

Sami Neza: “Qëllimi i projektit nuk është ndëshkimi…”.

Dhe mbase ky është qëllimi që një kopje e tillë e raportit nuk do t’i dërgohet edhe prokurores së përgjithshme.

Neza deklaron se qëllimi i tij dhe i trupit diplomatik anglez, i cili dhe ka financuar këtë projekt, është që të evidentojë rastet e shmangies së deklarimit të pasurisë nga ana e zyrtarit që mbart detyrim ligjor./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani