Lajme Arkiva 2003

Selia e Komunitetit Mysliman Shqiptar është hapur dy ditë pas vrasjes së sekretarit të përgjithshëm të këtij komuniteti Sali Tivari. Për pesë orë radhazi kryesia e këtij komuniteti ka debatuar në lidhje me qëndrimin ndaj ngjarjes si dhe organizimin e punës pas vdekjes së sekretarit Tivari. Pas debatit prej 5 orësh kryetari i komunitetit mysliman Haviz Sabri Koçi, është larguar nga Selia duke iu shmangur pyetjeve dhe gazetarëve të cilët ndodheshin përpara selisë.

Një orë pas mbledhjes përfaqësuesi për propagandën e komunitetit Kreshnik Osmani. Ka lexuar deklaratën e firmosur nga kreu i këtij komuniteti Haviz Sabri Koçi.

Kreshnik Osmani: “Komuniteti mysliman i Shqipërisë e përjeton vrasjen e njërit prej themeluesve dhe njerëzve më të rëndësishëm të tij si një sulm për të tronditur stabilitetin jo vetëm të institucioneve por të gjitha rrjedhave normale të zhvillimeve fetare dhe sociale në vend. Bindjen për këtë na e shton dhe fakti se me një goditje të vetme nuk u rrëzua vetëm një kolonë nga më të rëndësishme të këtij institucioni, por me këtë goditje u synua të kriminalizohej kushdo brenda Komunitetit Mysliman duke i ndihmuar kështu një imazhi global i cili kërkon ti portretizoj myslimanët si kriminelë dhe njerëz jo normal”.

Gjatë deklarimit i pranishëm ka qenë edhe nënkryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar Ermir Gjinishi, i cili u është përgjigjur pyetjeve të gazetareve sërish në lidhje me shoqërimin e tij pas vrasjes në seli.

Krerët e komunitetit nuk kanë pranuar se ndërmjet tyre ekzistojnë dy rryma të modeluar dhe liberal duke mos e pranuar këtë si pistë të mundshme të ekzekutimit të Tivarit. Ndërkohë zyra e sekretarit Tivari vazhdon të qëndrojë e mbyllur dhe ruhet nga policia si zonë nën administrimin e ekspertëve ligjor./tvklan.al