Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i propozoi Kuvendit rifirmatimin e Qeverisë, e cila nëse votohet, do të përfshijë krahas shqiptareve edhe partitë serbe te Frontit Demokratik prorus si dhe Partinë Boshnjake.

Këto parti mbështesin heqjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Bie në sy se Maja Vukiçeviç deputetja malazeze e cila votoi kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerësuar nga kryeministri Miljoko Spajic me postin e Ministres së re të Transportit.

Qeveria e rindërtuar sipas kreut të qeverisë malazeze do të ketë 26 ministra dhe shtatë zv.kryeministria. Spajiç i bëri thirrje opozitës që të jetë konstruktive, sepse tre vitet e gjysmë të ardhshme do të jenë vendimtare për integrimin e plote të Malit të Zi ne BE.

Milojko Spajiç, kryeministër i Malit të Zi:  Kjo shumicë qeveritare është garanci për stabilitet politik dhe sukses ne reformat e integrimit. Qeveria dhe opozita së bashku duhet të bëjnë gjithçka që Mali i Zi të anëtarësohet në BE në vitin 2028, e ndoshta edhe më herët.

Ne po bëhemi shembull në rajon te të jetuarit dhe të punës së bashku malazeze, serbe, shqiptare e boshnjake. 

Kështu duhet të jetë ky rajon i fokusuar në luftën anti-korrupsion dhe stabilitetin ekonomik. Ne duhet që të bashkëpunojmë me të gjithë në Ballkanin Perëndimor. 

Ish-kryeministri Dritan Abazovic tha se kemi të bëjmë me një qeveri jofunksionale më shumë se 30 anëtarë për të cilën çdo muaj do të shpenzohen 420 mijë euro. Sipas Abazovic kombinimi më i keq kundër shoqërisë malazeze është populizmi dhe nacionalizmi.

Edhe pas riformatimit të qeverisë malazeze partitë shqiptare kanë ruajtur të njëjtat poste ministrore si dhe përfaqësimin me Nik Gjeloshajn si zv.kryeministër.

Klan News