Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banesat që nuk plotësojnë kushtet për t’u legalizuar dhe parashikohen të shemben shteti duhet t’i pajisë me leje ndërtimi brenda zonës informale. Këtë propozon nëpërmjet amendamenti për projektligjin e legalizimeve Partia Demokratike.

Fatos Beja: “Për godinën unë përsëri jam që të shpronësohet edhe ky, brenda këtyre kushteve duke i shtuar dhe mundësinë që të ndërtojë brenda zonës informale, në mënyrë që ato 2-4 shtëpi që do të prishen nga rruga të mos trajtohen në mënyrë të diferencuar nga gjithë zona informale që ne legalizojmë praktikisht.”

Përfaqësuesit e LSI kanë kontestuar ashpër ligjin e legalizimeve, sidomos shembjet e ndërtesave brenda zonave informale. Sipas deputetëve të kësaj lëvizje, procesi i legalizimit duhet të fillojë pas shpalljes së zonave informale dhe jo pas hyrjes në fuqi të ligjit. Sipas deputetit Mustafa Muçi, ky projektligj është i vetmi që parashikon shitje të pronave shtetërore në vlerën e tregut, e cila është e papërballueshme për nivelin ekonomik të banorëve të zonave informale.

Ligj i legalizimeve do të përfundojë diskutimet në komisionet parlamentare deri të enjten, kur do të dërgohet në parlament për miratim./tvklan.al