Një sherr për motive të dobëta në të cilin u përfshinë të paktën 9 persona çoi në vrasjen e një djali të ri në Tropojë dhe plagosjen e 2 të tjerëve. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të së enjtes në një lokal në fshatin Breg-Lumë.

Sipas policisë, 40-vjeçari Saimir Sadiku goditi me thikë 3 persona, 45-vjeçarin Shkëlzen Kukaj dhe 2 vëllezërit Valentin dhe Adrian Pepkolaj të moshës 32 dhe 24 vjeç. Si pasojë e plagëve, 24-vjeçari Adrian Pepkolaj humbi jetën në spital. Për ngjarjen e rëndë policia arrestoi 5 persona. Ndërsa autori i dyshuar i vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë u shpall në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe policore të kryera menjëherë pas rastit të ndodhur më datë 11.07.2024, rreth orës 17:00, në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ku për motive të dobëta, Saimir Sadiku 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse, Valentin Pepkolaj, 32 vjeç, Shkëlzen Kukaj, 45 vjeç, si dhe vëllanë e Valentin Pepkolaj, Adrian Pepkolajn, 24 vjeç, i cili si pasojë e plagëve, humbi jetën në spital, u arrestuan shtetasit:”

“Andrin Qehaja, 39 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Xhevolin Macaj, 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Altin Shpendi, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; Anton Boçi, 29 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”; Jetmir Kuraj, 34 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, vijojnë kërkimet intensive për kapjen e Saimir Sadikut”, thuhet në një njoftim të policisë së Kukësit.

Autoritetet thonë se vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë. Sa i përket 2 të plagosurve, ata ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve./tvklan.al