#ShijeShtëpie në #TvKlan. Emision edukues, informues & argëtues me znj. Vjollca dhe Katerina Trungu. Çdo ditë me recetat e thjeshta dhe mbi të gjitha ekonomike te znj. Vjollca duke edukuar amvisat si të ushqehemi shëndetshëm. Rubrika të ndryshme me të ftuar specialë me këshilla të thjeshta praktike, të kuptueshme nga të gjithë, për çdo aspekt të të përditshmes. Argëtim, me muzikë dhe quiz, lojëra gjithëpërfshirëse që të japin atë dëshirën për të luajtur dhe për të komunikuar live me Katerinën dhe të ftuarit e saj.

2 receta nga Znj.Vjollca

Patëllxhanë të mbushur me pulë dhe djathë


4 patëllxhanë
500 gr gjoks pule
1 qepë
Vaj ulliri
1 degë rozmarinë
Kripë dhe piper i zi
100 ml verë të bardhë
2 lgj susam
12 domate qershi
100 gr djathë të verdhë që shkrin
4 thelpinj hudhër
Majdanoz
Fillimisht pastrojmë patëllxhanët dhe i bëjmë një prerje për së gjati jo deri në fund, duke krijuar një xhep. Vendosim patëllxhanët në një tavë ku kemi shtruar letër pjekje dhe i vendosim në furrë në temperaturë 200 gradë për 25 minuta.
Ndërkohë që piqen patëllxhanët, në një tigan ngrohim vajin dhe e aromatizojmë me rozmarinë të freskët. Shtojmë gjoksin e pulës të prerë në kubikë të vegjël dhe i kaurdisim ato deri sa të zverdhen lehtë. Shtojmë qepën në kubikë të vegjël dhe vazhdojmë kaurdisjen. Rregullojmë shijen me kripë e piper të zi e më pas shuajmë mishin me pak verë. Shtojmë 2 lugë gjelle susam dhe i përziejmë përbërësit për 5 minuta. Presim domatet qershi në kubikë ndërsa djathin e grijmë në rende. Grijmë hudhrat dhe majdanozin hollë.
Nxjerrim patëllxhanët nga furra, hapim prerjet që bëmë në të dhe fillimisht vendosim në të 1 lugë gjelle djathë të grirë. Më pas domatet në kubikë dhe pak hudhër. Më pas e mbushim me mishin që gatuam. I vendosim në furrë vetëm për 5-8 minuta në temperaturë 180 gradë. I nxjerrim nga furra, i spërkatim me majdanoz dhe i shërbejmë.

Petulla me gjizë


Petulla me gjizë
400 gr gjizë pa kripë
2 kokrra vezë
2 lgj sheqer
120-150 gr miell
1 lç pluhur pjekës
200 gr mjedra (sipas dëshirës)
Vaj për skuqje
Salcë kosi dhe mjaltë për servirje
Në një tas vendosim gjizën, vezët, sheqerin dhe i përziejmë me një blender dore duke shtuar më pas miellin dhe 1 lugë çaji pluhur pjekës. I përziejmë mirë duke krijuar një brumë jo të fortë, të cilin e vendosim në tavolinën e punës, të pudrosur me miell dhe e punojmë me kujdes. E ndajmë në pjesë të vogla duke formuar sfera sa një top ping-pongu në të cilat vendosim nga një mjedër brenda tyre. I skuqim duke i rrotulluar, sa të marrin ngjyrë të artë. Më pas i lëmë të ftohen. Përziejmë pak salcë kosi me mjaltë. E shtrojmë si bazë në një pjatë dhe mbi të vendosim petullat.

Ëndrra kuq e zi, emocione të jashtëzakonshme mbrëmë në Dyseldorf

“Kopshtaria për fëmijë”, Marçela sjell një libër të veçantë në duart e të vegjëlve

Quiz televiziv

/tvklan.al