Përjashtohet nga radhët e policisë drejtori në qarkun e Lezhës Xhavit Shala njëkohësisht drejtori i fundit që kishte mbetur në detyrë nga oficerët e vjetër të emëruar pëpara marrjes së postit të ministrit nga Igli Toska. Shkarkimi i Shalës dhe përjashtimi i tij nga radhët blu vjen pas revoltës së të burgosurve në sistemin e paraburgimit Laç si dhe vdekjes për shkak të dhunës së një të mituri në Komisariatin e Rrëshenit.

Gjithashtu dhe një analizë e realizuar nëMinistrinë e Rendit, pas operacionit ‘Kompast’ për arrestimin e disa personave të përfshirë në një rrjet trafiku droge në veri të vendit, ku përdorej dhe Porti i Shëngjinit ka bërë që puna e Shalës të konsiderohet joefikase për sa i përket ndalimit të trafiqeve.

Në orët e paradites është nënshkruar dhe komunikuar urdhri për përjashtimin e Xhavit Shalës nga policia, shkelje e betimit, kryerje dhe moskryerje e veprimeve që cënojnë në mënyrë të pariparueshme ligjin dhe detyrën, abuzime të rënda me atriubutet e policisë dhe me mirëbesimin e publikut.

Ndërsa vetë Shala, me mjaft vite karrierë policore dhe drejtues i bluve në ministri dhe në rrethe, është shprehur për Televizionin Klan se shkarkimi i tij është i pamotivuar dhe se do t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar. /tvklan.al