Zona e Kukësit është e fundit në listën e qyteteve që paguajnë energjinë dhe shifra prej vetëm 35% e arkëtimeve i ka kushtuar vendin e punës drejtorit të OSSH-së për zonën e Kukësit. Ai u shkarkua gjatë analizës 8-mujore nga drejtori i përgjithshëm i OSSH-së

Sahit Dollapi: “Secili do të japë llogari në bazë të planit dhe në bazë të shifrave që ka marrë. Nuk duhet për tu justifikuar që ne na vidhet energjia elektrike. Energjia elektrike vidhet në atë moment që duan punonjësit e mi.”

Largime nga puna dhe lëvizje të tjera u komunikuan për të gjithë strukturën drejtuese. Por zoti Dollapi paralajmëroi se ky vendimin do të merret për çdo kënd që nuk ka rezultate në punë.

Sahit Dollapi: “Procesi i privatizimit është një proces i cili është i ndarë nga puna jonë. Arkëtimi, faturimi, furnizimi me energji elektrike  e gjithë veprimtaria e kompanisë nuk do të cenohet dhe nuk do ndryshojë në asnjë moment. Në atë minutë që aktiviteti do të cenohet do të thotë që të cenohet vlera e kompanisë dhe kjo nuk do të lejohet.”

Ky paralajmërim vjen pak para privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes dhe vlera e kompanisë siç pranoi dhe drejtori i përgjithshëm i OSSH-së, varet nga realizimi i treguesve.

Nga Kukësi zoti Dollapi preku dhe një çështje tjetër të ndjeshme. Mos pagesën e energjisë elektrike nga punonjësit e administratës shtetërore në të gjithë vendin. Për të cilat shumë shpejt pritet të merren masa duke iu drejtuar dhe organeve të drejtësisë nëse nuk ka reagim pozitiv.

Vetëm në zonën e Kukësit që përfshin dhe Tropojën dhe Hasin janë rreth 2800 punonjës të administratës që nuk paguajnë prej 2 vitesh energjinë dhe shuma e borxhit të tyre llogaritet në rreth 500 mijë dollar./tvklan.al