Janë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit

Pas shpalljes së emergjencës nga koronavirusi në vendin tonë qeveria ka miratuar një vendim për shpërblimin e mjekëve, infermierëve dhe stafit mbështetës që punojnë në shërbim të personave që janë të infektuar me COVID -19.

Shpërblimit mujor, në masën 125.000 lekë, është për personelin mjekësor, specialistë të shëndetit publik që merren me epidemiologjinë, infermierë dhe specialistë të shërbimit laboratorik, të angazhuar në diagnostikimin dhe trajtimin mjekësor të personave të prekur nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19.

Ndërsa për personelin mbështetës, të angazhuar në institucionet ku trajtohen personat e prekur nga infeksioni i shkaktuar nga COVID-19, shpërblimi është në masën 65.000 lekë. 

Për shkak të mungesës së stafeve mjekësore, qeveria ka akorduar shpërblim 125 mijë lekë edhe për mjekëve dhe infermierëve që kanë dalë në pension dhe dëshirojnë të ofrojnë shërbim shëndetësor për trajtimin e personave të infektuar nga koronavirusi. Fatkeqësisht ditën e sotme është konfirmuar edhe rasti i parë i një mjeku të infektuar nga koronavirusi i ri në Spitalin e Durrësit.

Mjekët, janë heronjtë e kësaj situate në të gjitha vendet e botës pasi ata janë në vijën e parë të kësaj lufte. Në Italinë, në kulmin e epidemisë, nuk mungojnë as memet humoristike dhe një prej tyre krahasonte pikërisht pagat modeste të mjekëve me ato miliona euro të futbollistëve.

Po ashtu, qeveria me një akt normativ ka ndryshuar edhe ligjin “Për parandalimin e sëmundjeve infektive”. Duke shtuar si term të ri “vetëkarantinimin”. Në ndryshimet ligjore parashikohet se gjoba për personin, i cili nuk bënë karantinën e detyrueshme varion nga 500  mijë deri në 700.000 lekë. Por tashmë me ndryshimin e hartës se vendeve të prekura duhet të informohen qytetarët se për cilat vende parashikohet vetëkarantinimi i detyruar.

Klan Plus