Ministria e Shëndetësisë ka arritur në konkluzionet përfundimtare për shkakun e shpërthimit të epidemisë në qytetin e Poliçanit. 

Analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik vërtetojnë dyshimet se problemet  tek 78 banorë kanë ardhur nga konsumimi i ujit të pijshëm.

Gazmend Bejtja: “Reperti klinik nuk shkon për dizenteri klasike, por për një gastroenterit të rëndë. Është identifikuar mikroorganizmi i quajtur “shigela flekster tip tre”. Mundësitë më të mëdha janë për një shpërthim të shigelozës me natyrë hidrike ku vektor ka qenë ujësjellësi i Poliçanit”.

Ndonëse prejardhja e ndotjes së ujit nuk është përcaktuar ende dyshimet bien kryesisht tek amortizimi i rrjetit.

Mungesa e vazhdueshme e ujit në tubacione dhe tek disa firma private që zhvillojnë aktivitetin e tyre mbi depot e mbledhjes së ujit.

Gazmend Bejtja: “Infrastruktura e vjetur e ujësjellësve tanë së bashku me faktin që nuk ka ujë 24 orë në tubacionet e ujësjellësve bën të mundur që të ketë ndotje të pashmangshme në ujin e ujësjellsave.”

Por ndotja e ujit të pijshëm nuk është problem vetëm në qytetin e vogël të Poliçanit. ISHP ka dhënë alarmin se tetë qytete të tjera rrezikojnë nga përdorimi i tij pasi ndotja është në nivele të larta./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami